Varfëria dhe kushtet e vështira të jetesës kanë detyruar një shqiptar të zgjedhë burgun në Itali. I tillë është 45-vjeçari nga Vlora, Milto Dosi, i cili ka zënë hapësirë në mediat italiane, pasi i është drejtuar burgut në pamundësi për të mbajtur familjen.
Mediat fqinje shkruajnë se shqiptari është përshëndetur për herë të fundit me fëmijët dhe bashkëshorten e tij dhe shoqëruar nga avokati është paraqitur në stacionin policor në Pesaro. 45-vjeçari rezultonte i dënuar me tre vite burg për trafik droge në vitin 2012 në Itali.
Pasi kishte bërë dy vite burg, në 2014, ai ishte dëbuar nga Italia me qëllimin që të mos shkelte më në vendin fqinj deri më 2024. Por, pasi është përballur me vështirësitë e jetës, ai ka vendosur të rikthehet sërish në burg për të bërë edhe një vit që i ka mbetur. Kjo ka befasuar policët italianë, të cilët e kanë pritur me buzëqeshje.
Ndërsa gazetarëve ai ju ka thënë “Nuk kisha asgjë për të ushqyer familjen time. Kështu që unë thirra avokatin tim dhe i thashë se nuk kisha zgjidhje, duhet të mbaroja dënimin që të mund të jetoja e punoja pa probleme”.
Më 3 korrik, ai do të paraqitet në gjykatë për t’u përgjigjur për shkeljen e urdhrit të deportimit, me rrezikun e kthimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.