Palët politike fajësojnë njëra-tjetrën për mungesën e Gjykatës Kushtetuese sot. Por, për Ambasadën Amerikane në Tiranë, mosfunksionimi i përkohshëm e kësaj trupe është një sakrificë që ja vlen për të ngritur një trupë me gjyqtarë të kualifikuar, të pavarur dhe të pandikuar nga politika.
Ambasada e SHBA publikoi në rrjetet sociale videon e radhës nga cikli i shpjegimeve të thjeshtëzuara për publikun për reformën në drejtësi. Një javë më parë, shpjegimi lidhej me procesin e vettingut, ndërsa këtë të martë i kushtohej Gjykatës Kushtetuese.
Ambasada thotë se në të shkuarën, shpesh përzgjedhja e gjyqtarëve kushtetues ishte një pazar politik.
“Në të kaluarën, Presidenti dhe Parlamenti duhet të binin dakort për një kandidat që ky të bëhej gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese. Por shpesh, parlamenti dhe presidenti nuk binin dakord, çka shkaktonte vende bosh për një kohë të gjatë. Kur binin dakord personi që zgjidhej ishte pasojë e kompromisit mes politikanëve, por nuk ishin gjithnjë të përqëndruar tek kualifikimi i personit”, thotë ambasada.
Rruga e re e zgjedhjes së tyre e parashikuar nga reforma në drejtësi, sipas ambasadës e shmang këtë pazar.
“Me sistemin e ri, Presidentit dhe Parlamentit nuk iu duhet që të bëjnë ujdi për të emëruar një gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese. Tani kjo detyrë kalon me rrotacion mes Presidentit, Parlamentit dhe Gjykatës së Lartë. Këta mund të zgjedhin dikë vetëm nga lista me tre gjyqtarë të kualifikuar për atë post. Kjo do të thotë se nuk do të ketë ngecje, por as që politikanët mund të emërojnë thjesht atë që duan ata. Nëse Presidenti, Parlamenti apo Gjykata e Lartë nuk arrijnë që të zgjedhin dikë, atëherë zgjidhet automatikisht kandidati i renditur më lartë në listën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Ky sistem i ri siguron që gjyqtarët e zgjedhur të jenë të kualifikuar, ndihmon në parandalimin e boshllëqeve për një kohë të gjatë, si dhe nuk lejon një person të vetëm që të ketë më tepër pushtet në procesin e përzgjedhjes”, thotë ambasada.
KED përfundoi së fundmi intervistimin e gjashtë kandidatëve për listën e parë. Tani procesi ka hyrë në renditjen e kandidatëve sipas sistemit të pikëzimit nga ky institucion. Më pas, lista do t’i dorëzohet Presidentit. SHBA nuk jep një datë konkrete, por thotë se kjo do të ndodhë së shpejti.
“Së shpejti, KED do t’i dërgojë listën Presidentit, i cili ka radhën i pari që të zgjedhë një gjyqtar të ri me këtë sistem. Do të ketë mundësi të zgjedhë cilindo gjyqtar nga lista me tre emra të kualifikuar dhe kështu mund të fillojë të rindërtojë Gjykatën Kushtetuese. Pas kësaj, dy vende të tjera do të plotësohen nga Parlamenti dhe Gjykata e Lartë dhe më pas cikli përsëritet deri në plotësimin e të gjitha vendeve bosh. Kjo është mënyra me anë të së cilës Shqipëria së shpejti do të ketë një Gjykatë Kushtetuese me gjyqtarë që janë të kualifikuar, të paanshëm dhe apolitikë”, mbyllet mesazh informues i Ambasadës Amerikane.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.