Aksioni anti informalitet i nisur prej disa javësh në të gjithë vendin dhe me fokus të veçantë në zonën bregdetare, ka vijuar edhe këtë të premte. Si zakonisht, kryeministri Rama i ka bërë jehonë gjobitjes dhe mbylljes së njërit prej lokaleve më të njohur në bregdetin jonian, “Havana”.
Fillimisht Rama shpreh keqardhje për atë që ka ardhur dhe çudi se si mund të mos respektohet ligji në një investim aq të madh.
“Keqardhje vërtetë për Havanën e famshme të pushimeve joniane. Hajde merre vesh, si ka mundësi(!), që të bësh një investim të tillë dhe të mos respektosh ligjin, duke mos lëshuar kuponin dhe duke e paguar shkeljen si frëngu pulën.”
Por më tej në reagimin e tij, Rama përsërit edhe një herë se pak rëndësi ka lokali apo resorti dhe se sa luksoz është ai, ajo që ka vlerë është respektimi i ligjit.
“Por mesa duket sa më i madh biznesi, aq më e madhe vështirësia për ta futur në kokë mesazhin #STOPINFORMALITETIT. ASKUSH s’është mbi LIGJIN dhe ÇDOKUSH do GODITET me #ZeroTolerancë nëse mban për vete, pjesën e xhiros që i takon konsumatorit dhe shtetit”- ka shkruar Rama në facebook.
Sakaq operacioni anti informalitet “Plazh i lirë”, ka vijuar edhe sot, por me një shtrirje më të gjerë. ‘Uniformat blu’ bashkë me organet tatimore kanë zhvilluar aksione sot në plazhet Durrësit, Himarës dhe Pogradecit. Në këto 3 qytete bëhet me dije se janë liruar rreth 3600 m2 plazh i zënë në mënyrë të paligjshme në subjekte private.
Në plazhet e Gjipesë, Potamit dhe Qeparosë në bashkinë Himarë janë liruar 3000 m2 plazh që ishte në një zonë të mbrojtur dhe ishte zënë nga subjektet private. Në këto plazhe janë sekuestruar rreth 200 shezlongë dhe 100 çadra plazhi, të vendosura në mënyrë të paligjshme në hapësirat publike.
Për këto shkelje, policia njofton se ka proceduar 4 administratorë subjektesh si dhe një zyrtar në Bashkinë e Himarës, në sektorin e Tatim Taksave.
Në Pogradec pas shkeljeve të konstatuara për zënien e hapësirave publike nga subjektet private, janë proceduar penalisht tre inspektorë të Drejtorisë së Tatim Taksave në Pogradec me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Ndërsa në Durrës u procedua penalisht shtetasja D.D për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, pasi në subjektin e saj në zonën e “Shkëmbit të Kavajës” nuk lëshohej kuponi tatimor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




