Presidenti Ilir Meta i ktheu mazhorancës ndryshimet e Kodit Penal që ashpërsojnë ndëshkimet që lidhen me mbrojtjen e së drejtës së autorit, ruajtjen e qetësisë publike, sigurinë shëndetësore dhe ushqimore si dhe për armëmbajtjen pa leje dhe mbrojtjen e mjedisit.
Në arsyetimin juridik të thënë prej tij, Presidenti thotë se në katër nene të ndryshuar ka paqartësi, abstraksion dhe rrezik juridik që në interpretim mund të çojnë në situata të pakendshmë dhe të detyrojnë sërish ligjvënësin që të ndërhyjë për ta ndryshuar sërish Kodin Penal.
Ndryshimet në nenin 3 të këtij Kodi, që kanë të bëjnë me përgjimet dhe regjistrimet, kur këto bëhen pa dijeninë e personave që po përgjohen, apo regjistrohen, Presidenti thotë se kanë shtuar paqartësinë, mund të pengojë funksionarët e shtetit që janë të autorizuar për të përgjuar e regjistruar sipas urdhrave të posaçëm dhe për më tepër nuk përputhen me nenet e Kodit të Procedurës Penale.
“Mund të krijohen keqkuptime për zbatimin e kësaj dispozite ndaj shtetasve që kanë për detyrë vendosjen e aparaturave dhe regjistrimin e fjalëve, fiksimin e tyre, sipas autorizimit të posaçëm të marrë në përputhje me legjislacionin në fuqi për këtë qëllim", thotë Meta.
Neni 6, ai që ka të bëjë me ndotjen e mjedisit dhe të ajrit, sipas Presidentit është shumë abstrakt si përkufizim.
“Krijon rrezik që të sjellë një precedent në ushtrimin e ndjekjes penale apo dhënien e dënimeve në mënyrë jo proporcionale. Paraqet problematike, sa i përket mënyrës se si ajo është ndërtuar nga ana gjuhësore, ku rezulton se rrethana e cilësuar e kryerjes së veprës penale, që sjell si rezultat rritjen e masës së dënimit rezulton të jetë përcaktuar me shprehje të papërshtatshme për qëllimin për të cilin këto dispozita janë hartuar. Lënia e hapësirave abstraguese në dispozitë dhe formulimi jo i saktë sa i takon teknikës legjislative, është një mundësi e hapur për keqinterpretim dhe abuzim në praktikë. Përdorimi i togfjalëshit “ka mundësi të shkaktojë”, jo vetëm që e bën të pamundur zbatimin, por edhe rrezikon që në praktikë të sjellë një precedent të rrezikshëm në ushtrimin e ndekjes penale apo dhënien e dënimeve në mënyrë joproporcionale", mendon Presidenti.
Meta rrëzon edhe neni 7 që lidhet me menaxhimin e mbetjeve. Ai thotës Presidenti se shtimi i një figure të re të veprës penale, atë të transportimit të mbetjeve është i paqartë në mënyrën se si është miratuar dhe e bën aplikimin e kësaj dispozite të vështirë nga ana praktike. “Përpos kësaj nga ky shqyrtim i ligjit konstatohet se në asnjë prej këtyre veprave nuk është përcaktuar si rrethanë e cilësuar kryerja e tyre në bashkëpunim apo përsëritja e saj”, deklaron Meta.
Mes ndryshimeve të miratuara nga Kuvendit në seancën e fundit parlamentare të 18 korrikut, ishte edhe shtimi i veprës penale që penalizon dhe ndëshkon dhunën ndaj kafshëve. Meta thotë se as kjo dispozitë nuk është e qartë në përmbajtje dhe nuk mbulon të gjitha rrethanat e mundshme.
"Kjo dispozitë e re penale nuk rregullon situatën ku pasoja në shëndetin e një personi, plagosja e rëndë nga kafsha mund të ndodh në banesën e pronarit të kafshës. Pra sipas dispozitës së miratuar nëse ndodh në këtë ambient, duket se nuk kemi braktisje dhe normalisht, as dhe përgjegjësi penale”, thotë Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.