Turin e takimeve me qytetarët në këto ditë të nxehta gushti, Lulzim Basha e zhvendosi në veri të vendit. Kreu i Partisë Demokratike u ndal në qytetin e Pukës, ku ripërsëriti akuzat se me qeverisjen e Edi Ramës vendi është zhytur në një mjerim të thellë dhe moçal i krimit të organizuar.
“Organizata e strukturuar kriminale e rilindjes, e shndërroi vendin në një moçal të papunësisë e të mjerimit, ku nuk ka më as punësim, as shanse për rininë, madje as krijim të familjeve të reja, siç informohem me shumë trishtim se po ndodh në Pukë e në të gjithë vendin”, deklaroi Basha.
Basha e cilësoi Parlamentin aktual si vend ku riciklohen mbeturina, ndërkohë që paralajmëroi se PD nuk do të njohë asnjë vendim të marrë prej tij kundër interesit publik.
“Janë vendime për të vjedhur buxhetin, për të vjedhur pasuritë e vendit, për të vjedhur pyjet, malet, lumenjtë, mineralet, naftën, bregdetin, me PPP, koncesione, tendera. Kanë shpikur gjithëfarë mënyrash vetëm një qëllim: vjedhjen dhe grabitjen e pasurive të shqiptarëve, vjedhjen dhe grabitjen e taksave të shqiptarëve, për hesap të 5 bandave kriminale dhe 5 oligarkëve, që përbëjnë qeverinë e vërtetë të hajdutit psiqik Edi Rama”, vijoi Basha.
Basha thotë se Puka iu bashkua pjesës tjetër të vendit duke bojkotuar zgjedhjet e 30 qershorit dhe duke e shndërruar këtë ditë në një referendum kombëtar që kërkon largimin e Ramës.
“85 % e shqiptarëve treguan përmasat e vërteta të shumicës së re në vend, të shumicës “Rama ik”. Ka ardhur koha ta shporrim këtë pakicë kriminale nga Puka dhe nga gjithë Shqipëria”, theksoi kreu i PD.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




