Në sajë të operacionit të koduar “Gjobëvënësit”, Policia e Durrësit ka vënë në pranga tre persona.
Siç njofton policia, shtetasit kanë përfunduar në pranga për gjobëvënie ndaj një biznesmeni, njëri prej tyre me rrezikshmëri të lartë në fushën e krimeve ndaj personit.
Policia bën me dije se janë vënë në pranga shtetasit:
L. Z., 45 vjeç, banues në Fushë Krujë, me rrezikshmëri të lartë në fushën e krimeve ndaj personit.
E. Sh., 26 vjeç, banues në Krujë.
K. E., 40 vjeç, banues në Xhafzotaj, Durrës.
Arrestimi i tyre u bë pasi këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin me anë të kanosjes dhe dhunës, kanë shtrënguar për dhënien e një pasurie prej 50 000 eurosh, shtetasin N. L., banues në Durrës.
Gjatë operacionit, Policia ka sekuestruar shumën 5000 euro, të cilën e kishin vënë si këst të radhës për t’u paguar nga shtetasi N. L.
Gjithashtu në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dhe 3 aparate celulare dhe 1 automjet.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për hetime të mëtejshme në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, në bashkëpunim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




