Betohet kryetari i ri i Bashkisë së Kavajës, Redjan Krali. PS-ja ka vepruar si në rastin e Devollit duke e bërë mbledhjen e konstituimit në godinën e prefekturës.
Ndërkohë mbështetësit e Partisë Demokratike u mblodhën para bashkisë dhe kanë sulmuar policinë. Një gjë e tillë e ka bërë kryetarin e ri të Bashkisë së Kavajës të presë në lokal që të ikin protestuesit.
Kryetari në detyrë i zgjedhur nga PD-ja, Isa Sakja më herët u shpreh se nuk do ta lirojë zyrën, pasi vazhdon ende detyrën.
“Sot do të jem në detyrë. Vazhdoj detyrën, nuk mund të lë bashkinë kur vetëm 5 për qind e qytetarëve të Kavajës kanë votuar”, mësohet të jetë shprehur Sakja.
Partia Demokratike vijon të kundërshtojë rezultatet e votimeve të 30 qershorit dhe kryebashkiakët demokratë janë shprehur se nuk do të dalin nga zyrat derisa të ketë zgjedhje të lira dhe gjithëpërfshirëse.
Pas përfurfundimit të orarit zyrtar të punës Isa Sakja dhe demokratët kyçën dyert e bashkisë. Në këtë moment, kryebashkiaku i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit i shoqëruar nga forca të policisë së rendit dhe ajo bashkiake kanë hapur me dhunë derën pavarësisht kundërshtimit të një grupi protestuesish opozitarë.
Redjan Krali i PS-së u zgjodh kryebashkiak i Kavajës në zgjedhjet e 30 qershorit, ku përballë kishte kandidatin e Bindjes Demokratike, Bledar Sinella.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.













