Policia e Shtetit ka bërë sot bilancin e aksionit kundër informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama për të ndëshkuar të gjitha paligjshmëritë në vend.
Ishte drejtori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Policinë e Shtetit, Lutfi Minxhozi që në një deklaratë për mediat bëri me dije të dhënat e policisë.
Minxhozi bëri me dije se në zbatim të këtij plani të posaçëm janë ushtruar kontrolle në 801 subjekte të ndryshme, nga të cilët 467 shërbime vend-pushimesh me shezlong, 162 lokale në bregdet, 83 hotele, 24 ndërtime pa leje, 4 raste për territore të pushtuara dhe në pika shpërndarëse të karburantit.
Si rezultat i këtyre kontrolleve janë evidentuar 89 subjekte në shkelje të ligjit dhe të gjithë përfaqësuesit e tyre janë proceduar penalisht për veprat penale: fshehja e të ardhurave, moslëshim i kuptonit tatimor, ushtrim aktiviteti tregtar i paligjshëm, mospagim i taksave dhe i tatimeve, ndërtim i paligjshëm etj., të cilat ndiqen në bashkëpunim me Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore përkatëse.
Minxhozi njoftoi se janë arrestuar gjithsej 30 zyrtarë të administratës për shpërdorim detyre, mes të cilëve edhe kryetarin e njësisë administrative Dërmenas në Fier. Ky i fundit akuzohet për evazion fiskal.
Mësohet se janë proceduar penalisht 30 zyrtarë të administratës për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, nga të cilët:
• 23 nëpunës të bashkive;
• 3 nëpunës të sistemit fiskal;
• 4 nëpunës të Drejtorive Rajonale të Punësimit.
Nga nëpunësit e proceduar penalisht, 5 prej tyre janë arrestuar në flagrancë, konkretisht:
• Kryetari i një Njësie Administrative, Bashkia Fier;
• 4 punonjës të Tatim-Taksave, në Bashkinë Shkodër.
Në 80 raste, për subjekte të ndryshme janë marrë masa administrative nga Tatimet duke vendosur gjoba.
Në 15 raste, organet tatimore kanë vendosur bllokimin e aktivitetit të bizneseve të paligjshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




