Politike

Tre pengesa për negociatat

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias konfirmoi atë që përflitej prej javësh në media. Shqipëria dhe Maqedonia gëzojnë mbështetjen e pjesës dërrmuese të vendeve anëtare të Bashkimit Europian për hapjen e negociatave, por tre prej tyre mund të shfrytëzojnë të drejtën e vetos për ta shtyrë këtë proces në një datë të mëvonshme.

Duke folur në Luksemburg, aty ku janë mbledhur kryediplomatët e BE-së për të diskutuar paketën e zgjerimit të ofruar nga Komisioni Europian, Kotzias bëri publike edhe emrat e shteteve që janë skeptike për hapjen e negociatave me një gjuhë që u përpoq të minimizojë rezervat e tyre.

“Franca, Danimarka dhe Holanda kërkojnë që të shohin më shumë progres në muajt në vazhdim, pastaj të vendoset, ndërsa 25 vendet e tjera janë dakort me hapjen e negociatave”, deklaroi ai.

Vendimi përfundimtar do të merret në fund të samitit dhe deri atëherë, Kotzias kërkon që të mos bllokohet perspektiva europiane e rajonit, pasi kjo, sipas tij do të rrezikonte edhe marrëveshjen e emrit me Maqedoninë.

“Kam frikë se mungesa e një date për negociatat dhe anëtarësimin për Maqedoninë Veriore do të minojë gjithë përpjekjet, sakrificat dhe kompromisin që është arritur deri më tani. Marrëveshja e emrit është lajmi më i mirë që Europa ka marrë në pesë vitet e fundit dhe nëse ajo nuk mbështetet rrezikon të dështojë”, shton kryediplomati grek.

Nga një mbledhje e mëhershme e Ministrave të Jashtëm të BE-së

Kotzias thotë se kundërshtimi më i madh mbërrin nga Holanda, ndërsa në Gjermani ka një kontradiktë brenda koalicionit qeverisës të Angela Merkel. Franca dhe Danimarka, gjithashtu, thotë Kotzias kërkon që fillimisht debati të përqendrohet tek rregullat e brendshme të BE-së dhe nevojës për ndryshimin e tyre dhe më pas të diskutohet zgjerimi.

Greqia nga ana e saj nuk ka asnjë mëdyshje dhe përpjekjet e Kotzias janë që të bëjë bashkë Francën me Gjermaninë për të bindur më pas të tjerët për hapjen e negociatave.

Mbledhjes i parapriu një apel i Komisionerit të Zgjerimit, Johannes Hahn drejtuar vendeve anëtare të BE që t’i japin dritën e gjelbër fillimit të bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë duke theksuar rëndësinë e dhënies së “një sinjali pozitiv” për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ministri i Jashtëm holandez, Stef Blok

Por, me gjuhën diplomatike të ministrit të saj të Jashtëm, Holanda shprehu rezervat për hapjen e negociatave dhe mundësisë reale që të vendosë veton për hapjen e tyre, të paktën këtë samit.

“Shqipëria dhe Maqedonia kanë bërë progres në drejtim të shtetit ligjor, por, në të njëjtën kohë, Shqipëria dhe Maqedonia nuk janë ende ku duhet”, thotë ministri i Jashtëm i Holandës, Stef Blok.

Holandezët kërkojnë rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Ne duam të shohim një rekord në luftën kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit. Ne duam të shohim rezulatet konkrete, por s’mund të përjashtohet fakti se progresi është bërë kohët e fundit. Shpesojmë që negociatat të nisin me të dyja vendet”,  vijoi kryediplomati holandez.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë