Ana e errët

“Toyota Yaris”, çfarë tha Basha

Me gishtin tregues drejt deputetëve, ndërsa përballë kishte deputetin Taulant Balla dhe pas shpinës kryeministrin Edi Rama, të cilët të dy e shoqëruan fjalën e tij me të qeshura të zëshme, Lulzim Basha tha: “Njëri prej atyre që zgërdhihet më shumë, ka qenë në Gjermani para tre ditësh. Mbajeni mend këtë që po ju them. Dhe ka porositur një Toyota Yaris, por ta kanë zbuluar Toyotën o zgërdhimtar, bashkë me 1, 5 milionë euro të drogës brenda”. Kjo deklaratë u pohua nga foltorja prej kryeopozitarit në datën 21 qershor 2018.

Lulzim Basha në seancën ku përmendi për herë të parë ngarkesën me euro në makinat "Toyota"

Në fakt se çfarë ishte duke thënë Lulzim Basha u zbulua publikisht tre ditë më vonë, pikërisht në 24 qershor kur auoritetet njoftuan sekuestrimin e një makine “Toyota Auris”, në dyert e të cilës ishin fshehur plot 3.4 milionë euro. Dhe ndërsa koha ka kaluar dhe as Shërbimi i Kontrollit dhe Çështjeve të Brendshme dhe as Prokuroria nuk e zbardhën dot dyshimin se a ishte dekonspiruar apo jo operacioni “Toyota Auris”, pikëpyetja që mbeti është se si e mësoi Lulzim Basha që drejt Shqipërisë po udhëtonin të fshehura në një kamion 3. 4 milionë euro?

Trajleri ku u zbulua ngarkesa me euro

Pikërisht kjo pyetje dhe dy të tjera u dorëzuan përmes letërporosisë në duart e prokurorëve shqiptarë. Gjyqtari paraprak i hetimit të së njëjtës histori edhe në Belgjikë dhe prokurori i kërkuan Shqipërisë të pyeste Lulzim Bashën për mekanizmin se si e mësoi ai informacionin për “Toyota Auris”, çfarë informacioni ekzakt kishte ai dhe kush ia kishte dhënë këtë informacion? Por pas dërgimit të kësaj letërporosie, belgët morën avionin dhe mbërritën në Tiranë duke mos ua besuar prokurorëve shqiptarë përgjigjen e këtyre pyetjeve.

Letërporosia nga Belgjika
Prokurorët belgë duke hyrë në Prokurori

Në fakt, nuk ishte vetëm Lulzim Basha ambicia e tyre, por edhe 12 persona të tjerë përfshi të arrestuar dhe familjarë të tyre. I vetmi ndryshim mes të dyshuarve dhe Bashës për belgët është fakti që ai u pyet vetëm për informacionin, ndërsa të tjerët për lidhjet që ata kanë me njëri-tjetrin dhe asetet pasurore, por edhe kontaktet me dy të kërkuar të tjerë që ende vazhdojnë të mbeten në arrati.

Lulzim Basha duke hyrë sot në Prokurorinë e Krimeve të Rënda

Marrja në pyetje
Lulzim Basha ishte pa avokat. Megjithëse ftesa për t’u pyetur si dëshmitar shënonte orën 9 të mëngjesit, Lulzim Basha mbërriti 20 minuta me vonesë. Sëbashku me truprojën që nuk i ndahet, Basha hyri i vetëm në zyrën e prokurores tjetër shqiptare Doloreza Musabelliu, e cila siç shprehen burimet, ishte e pranishme në marrjen e kësaj prove bashkë me katër prokurorët belgë si edhe një përkthyes të gjuhës frënge. Por nëse e ka tregur Lulzim Basha burimin e informacionit, ky do të vijojë të mbetet një sekret. Për të njëjtin fakt në 23 tetor 2018 Lulzim Basha u pyet edhe nga prokurorja Marjola Mërtiri, e cila sëbashku me një oficer të policisë gjyqësore këmbënguli fort të merrte detaje. Por Lulzim Basha i tha se kishte marrë informacion nga burimet e tij, edhe pse publikisht ndërkohë nënvizonte se e kishin informuar partnerët ndërkombëtarë.

Prokurorët shqiptarë të çështjes

Çështja civile
Por ndërsa çështja “Toyota Auris” hetohet edhe tek Krimet e Rënda, deklaratat jashtë foltores së Kuvendit i kushtuan Lulzim Bashës një gjobë prej 50 mijë lekësh. Vendimi u shpall nga Gjykata e Tiranës, pas padisë së Taulant Ballës, i cili e akuzoi për shpifje dhe në fund siç u shpreh gjyqtari Gerd Hoxha, kryedemokrati u gjet fajtor dhe duhej gjobitur për t’u rehabilituar dhe për të ndikuar që vepra e shpifjes të mos përhapej.

Taulant Balla, duke dalë nga Gjykata, pas padisë kundër Bashës

Sidoqoftë, në një nga daljet e tij, përveç akuzave ndaj Ballës, Lulzim Basha denoncoi si të përfshirë në çështjen “Toyota Auris” edhe Ulsi Manjën dhe Jurgis Çyrbjen. Por të dy ata, duke e paralajmëruar se do ta padisnin, e cilësuan veç e veç, njëri e quajti Bashën “qafir” dhe “të llastuar”, ndërsa tjetri e përmendi si “një gjumash që sa zgjohet mendohet çfarë të shpifë”.

Hetimi
Prokuroria po zhvillon hetime për pastrim të produkteve penale dhe grup të strukturuar kriminal. Të arrestuar për 3.4 milionë eurot janë Klevis Cani, Agim Ceka, Edi Lika dhe Alban Mollaymeri. Si pjesë e grupit janë nën hetim edhe dy kushërinjtë ende në kërkim Alfred dhe Elvis Vladi. Për gjithsecilin - thotë Prokuroria - ka dyshime se kanë rol në transportin e 3.4 milionë eurove dhe konkretisht shtetasi Elvis Vladi pasi ka qëndruar në Belgjikë, është marrë me gjetjen e mjeteve përmes të cilave do të transportoheshin lekët. Këto shuma dyshohet se vijnë nga aktivitetet kriminale.

Dy prej të arrestuarve në bankën e të akuzuarve

Ndaj më datë 20 qershor 2018 ky shtetas ka kryer ngarkimin e 7 mjeteve “Toyota Auris” në kamion dhe më datn 21 qershor ai është kthyer nga Belgjika në Tiranë. Dyshohet se ai do t’i priste këto para. I dyshuari tjetër Agim Ceka ka kryer transportin me trajler të mjeteve në njërin prej të cilëve gjendeshin 3 milionë e 366 mijë e 700 euro si edhe 80 mijë franga zvicerane. Raporti i shërbimit shpjegon se shuma u gjet në karroatrecin në pronësi të Klevi Canit. Mjeti kishte ndjekur linjën Bari-Durrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë