Tensionohet situata përpara Teatrit Kombëtar dhe shkak për këtë është bërë rrethimi i godinës nga forcat policore. Menjëherë pas konstatimit të këtij fakti artistët kanë nisur thirrjet në adresë të qytetarëve për t’u mbledhur për të mos lejuar që godina të prishet. Përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, aktorë dhe qytetarë u mblodhën para sheshit të godinës që në orët e para të mëngjesit.
“Nëse ne rrimë në shtëpi sot ta dini se do jua krimin kokën, do ju shkatërrojnë çdo pasuri dhe do ju heqin çdo lloj etikete të qenies shqiptarë", tha Ervin Goci, pedagog i Gazetarisë.
Regjisori i njohur Edmond Budina përpara kamerave të medias është përlotur dhe ka rrëfyer se është tërhequr zvarrë nga ana e policisë, ndërsa ai së bashku me 4 persona të tjerë po qëndronin tek hyrja e Teatrit Kombëtar si rezistencë për të ndalur shembjen e tij.
"Sot është një ditë e trishtë. S'më ka ndodhur as në kohën e Ramiz Alisë. Policia atëherë nuk më ma tërhequr zvarrë. Ajo që ka ndodhur në vendin tim është një nga gjërat më të turpshme. Nuk po mbrojmë shtëpitë tona, por shtëpinë shqiptarëve. Nuk themi që teatri të mos ndërtohet, por Teatri i ri të ndërtohet diku tjetër”, theksoi regjisori Budina.
Ai bëri edhe një apel për kryeministrin Rama që të mos ta shkatërrojnë këtë pasuri kombëtare. “Ne ishim 5 vetë dhe nuk po bënim asgjë dhe po rrinim tek dera. Është një nga ditët më të dhimbshme. I bëj thirrje kryeministrit. Më ke zënë përkrahu dhe më ke tërhequr zvarrë. I bëj thirrje kryetarit të bashkisë dhe ministrit. Mos ta tentojnë të shkatërrojnë këtë pasuri. Kemi protestuar në mënyrë paqësore. Ky është fundi i demokracisë shqiptare. Ky është regjim fashist. Populli të ngrihet në këmbë. Teatri duhet të jetë varreza e këtyre njerëzve që i bëjnë keq Shqipërisë. I bëj thirrje aktorëve mos u shisni, mos u kërcënoni për një copë bukë, hajde të mbrojmë lirinë”, deklaroi Budina.
Ndërsa protestës së artistëve i janë bashkuar dhe mbështetës dhe simpatizantë të opozitës. Kryedemokrati Lulzim Basha mbërriti së bashku me mbështetës dhe simpatizantë të PD-së për të shprehur mbështetjen ndaj aktorëve dhe kundër shembjes së teatrit . “Betejën po e bëjnë artistët dhe aleanca për Teatrin, ne jemi në mbështetje të tyre dhe do të jemi në mbështetje me të gjitha format dhe mjetet. Çdo përpjekje për të hapur gropën e teatrit të kthehet në gropën e Ramës. Opozita ka qenë dhe do të jetë këtu siç po e shikoni, çështja është që para çdo shqiptari po duket qartë se nuk kemi qeveri por një bandë dhe duhet të kuptojnë se kjo që po ndodh këtu mund të ndodhë në çdo shtëpi”, deklaroi Basha.
Apeli i Malajt ndaj socialistëve Majko, Ruçi dhe Braçe
Në mbështetje të artistëve dhe qytetarëve që po përballen me policinë ka shkuar edhe ish-ministri socialist, Arben Malaj. Pas tentativës për ta shkarkuar si anëtar nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, Malaj në një prononcim për mediat ka lëshuar sot mesazhe të forta në mbrojtje të godinës së Teatrit Kombëtar. Ai u ka bërë apel kreut te Kuvendit, Gramoz Ruçi, ministres së Kulturës, zv.kryeministrit Erjon Brace dhe ministrit të Diasporës, Pandeli Majko.
“Të dashur protestues dhe policë. Kam ardhur këtu me mesazhin e Nënë Terezës. Ministria e Kulturës të heqë policët nga institucioni. Ministri Majko dhe socialisti shumë i mirë Erjon Brace të kërkojnë një vendim qarkullues. Të bllokohet rrethimi nga policia dhe të bllokohet aktiviteti në Teatrin Kombëtar. Nëse Majko e Braçe e duan këtë vend ajo bëhet gati për 20 minuta. Nëse qeveria nuk e bën, vendimi qarkullues për mos prekjen e teatrit i takon Kuvendit. Gramoz Ruçi të mbledhë deputetët, të mundësohet ndalimi i ndërhyrjes te Teatri. Pas kësaj të gjithë së bashku të bëjmë zgjidhjen më të mirë”, është shprehur ai.
Shpërthimi i dyerve, artistët hapin teatrin
Të mbështetur nga protestues të opozitës, artistët kanë tentuar të çajnë kordonin e policisë, duke u përballur me forcat e rendit. Pas tensionesh dhe përplasjesh të forta edhe fizike, protestuesit kanë mundur të çajnë kordonin policor dhe kanë hyrë brenda godinës së Teatrit Kombëtar. Shume prej tyre kanë hyrë përmes dritareve duke ‘pushtuar’ sallën e TK. Kjo ndodhi pikërisht në ora 11:00 dhe në këtë tentativë forcat e policisë nuk bënë ndonjë rezistencë për të zmbrapsur artistët dhe mbështetësit e opozitës.
Gjatë momentit kur demokratët bashkë me disa aktivistë janë futur në ambientet e brendshme të Teatrit Kombëtar, një person ka humbur ekuilibrin duke rënë në pishinën që ndodhet pranë godinës. Ai ka qëndruar për disa momente pa ndjenja por më pas është përmendur. Ambulanca ka mbërritur në vendngjarje duke i dhënë edhe ndihmën e parë mjekësore.
Brenda me artistët u fut edhe kryedemokrati Lulzim Basha së bashku me disa ish-deputetë të PD-së. Pas hyrjes brenda godinës së Teatrit, kryedemokrati Lulzim Basha ka postuar disa foto nga brenda dhe më pas është ulur në karriget e sallës. “Brenda Teatrit Kombëtar ku Banda e Edi Ramës kishte nisur çmontimin. Aleanca për Teatrin dhe qytetarët i larguan dhe u futën brenda. Krenar për forcën e qytetarëve të bashkuar!”, shkruan kryedemokrati.
Në mbështetje të artistëve, Basha tha se demokratët do ta mbrojnë Teatrin, ndërsa lëshon akuza të forta në drejtim të projektit për ndërtimin e Teatrit të ri.
Basha që në krye të herës e ka cilësuar këtë projekt kriminal dhe sipas tij me atë projekt po pastrohen paratë e drogës.
“Ky është projekt grabitës, kriminal, po pastrohen paratë e drogës me një arkitekt të dënuar në Itali, është arkitekti i Edi Ramës. Kjo është një skemë mafioze për të pasuruar Ramën dhe vjedhur shqiptarëve Teatrin. Këtu po pastrohen paratë e drogës”, shprehet lideri demokrat.
Policia e ka rrethuar Teatrin në tentativë për ta shembur që në orët e para të mëngjesit dhe ka larguar nga hyrja kryesore mbështetësit. Por një gjë e tillë është shoqëruar me përplasje dhe konfrontime fizike, pasi artistët dhe përfaqësues të shoqërisë civile e kundërshtojnë më forcë shembjen e Teatrit.
Pas hyrjes së artistëve, regjisori Budina kërkoi mbështetjen e të gjithëve për të mos lejuar shembjen e Teatrit Kombëtar. “Ju lutem, ju lutem mos e lini këtë Teatër të shembet. Ruajeni këtë shenjtëri për të ardhmen tuaj, për fëmijët tuaj. Për të treguar se në këtë teatër kanë luajtur kolosët. Ndërtoni një teatër të ri diku tjetër”, u shpreh ai, ndërsa theksoi se kjo është hera e parë që artistët ndërmarrin një akt të tillë pas një periudhe të gjatë që protestojnë.
Artistët pas këtij akti janë ngujuar brenda mureve të Teatrit, duke bërë rezistencë për të mos lejuar shembjen e godinës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.