Rend dhe Ligj

Shtyhet në shtator vendimi, Tahiri: Nisi me burra me mustaqe, përfundoi me ata me botoks

Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar për ish-ministrin Saimir Tahiri dhe ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela. Gjatë kësaj seance Saimir Tahiri është nervozuar, ndërsa prokuroret kanë kërkuar 2 javë kohë për pretencën. Kjo kërkesë e pranuar, bën që vendimi për ish-ministrin e Brendshëm të jepet në shtator. Pas daljes nga salla e gjyqit Tahiri u shpreh në përfundim të procesit gjyqësor të Krimet e Rënda, se procesi në ngarkim të tij, po zgjatet përtej çdo limiti.
“Prokuroria nuk është e gatshme ta bëjë këtë në momentin e parë që i jepet mundësia, me parimin ose të dënojë një kriminel, ose të lerë të qetë një njeri të pafajshëm. Hera e katërt që shtyhet për shkak se gushti është pushim. Shtyhet kjo punë kështu” u shpreh Tahiri.
Lidhur me provat e paraqitura deri më tani, Tahiri tha se nuk ka asnjë ndryshim nga ç’është dorëzuar më parë në Kuvend. “Unë i kam parë letrat i keni parë edhe ju. Nuk ka asnjë germë më shumë se letrat e para që janë çuar në Parlament. Dy vjet humbje kohe. Për më shumë do i dëgjoni në seancë kur të dëgjoni pretendimet e prokurorisë e të miat. Shyqyr që u gjetën dokumentet . Merre me mend ca ndodh me njerëzit, kur unë e kam mundësinë të flas para jush, merre me mend se ç’ndodh me njerëzit”, deklaroi vijoi më tej Tahiri.
Ish-ministri nuk ngurroi të ironizonte edhe prokurorët apo gjyqtarët e çështjes ndaj tij. “Kjo histori ka nisur me burra me mustaqe e ka shkuar me burra me botoks” tha Tahiri, por pa dashur të zbulojë më shumë detaje.
Ndaj Tahirit janë ngritur tri akuza: “Trafikimi i narkotikëve, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Grup i strukturuar kriminal”. Ndërsa prokuroria pas seancës së 17 korrikut, sot paraqiti dokumentet e përkthyera, për të cilat kishte deklaruar se i kishin humbur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë