Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një 29-vjeçar që ishte i shpallur në kërkim për vrasje dhe konsiderohej si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Ai është autori i vrasjes së ndodhur në vitin 2017, ku mbeti i vrarë shtetasi Angjelin Shkambi.
Policia bën me dije se në pranga ka përfunduar shtetasi Artan Koçeku, 29 vjeç, banues në fshatin Pog, Shkodër.
Për këtë shtetas në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datën 17. 12. 2017, Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Gjatë kontrollit në automjetin me të cilin udhëtonte, policia i ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip “pistoletë” me fishek në fole dhe një krehër me fishekë që i përkiste një arme tjetër zjarri tip “pistoletë”.
Gjithashtu, në automjet së bashku me këtë person, ka qenë edhe shtetasi Rr. D., 24 vjeç, banues në Tiranë, i cili u arrestua në flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Ngjarja
Artan Koçeku, i cili ka përfituar leje shpërblimi nga burgu i Peqinit ku vuante dënimin për ngjarjen e ndodhur në vitin 2013, për veprën penale “Vjedhja me armë”, nuk u paraqit në vendin e vuajtjes së dënimit në ditën e caktuar. Gjatë kësaj kohe më datë 17.12.2017, ky person ka vrarë me armë zjarri shtetasin A. Sh. 35 vjeç, banues në Pulaj, Velipojë, Shkodër.
Policia bën me dije i njëjti person në vitin 2018 është përfshirë në një konflikt me armë, dhe gjatë ndjekjes nga Policia, ka braktisur mjetin në fshatin Shtoj I Ri dhe ka mundur të largohet.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




