Një telefonatë e kryeministrit Zoran Zaev me dy komendianë rusë ka trazuar të martën mbarë Ballkanit Perëndimor, duke zbuluar prapaskenat ndërkombëtare për një nga skenaret që ka mbërthyer prej më shumë se një viti rajonin: ndryshimin e kufijve të Kosovës.
Deklaratat e kreut të qeverisë së Maqedonisë së Veriut, i cili mendoi se po fliste me ish-Presidentin ukrainas, Petro Poroshenko, kanë shkaktuar “tërmet” në Prishtinë dhe në Tiranë, ku opozita nuk i ka kursyer kritikat ndaj presidentit Hashim Thaçi, por edhe kryeministrit Edi Rama duke i akuzuar si “padronët” e këtij skenari. Por çfarë zbuloi Zaev në kurthin e ngritur nga komedianët Aleksei Stoljarov dhe Vladimir Kuznetsov që tronditi rajonin?
Zaev ka deklaruar se Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç kanë rënë dakord për idenë e ndryshimit të kufijve, duke ngritur alarmin se kjo mund të shkaktojë një luftë të re në Ballkan. Kreu i vendit fqinj është i bindur se prapa këtij plani të rrezikshëm qëndrojnë interesat e Rusisë dhe Turqisë dhe se Thaçi mund të këtë rënë pre e këtij skenari.
Zaev zbulon se plani i Thaçit dhe Vuçiçit është që Kosova t’i japë plot 10 komuna Serbisë, në shkëmbim, të bashkimit të Luginës së Preshevës. Nëse ky skenar do të çohej deri në fund, atëherë Kosova do të jetë humbësja më e madhe, pasi do të jepë një pjesë të konsiderueshme të territorit të saj.
“Presidenti i Serbisë dhe Presidenti i Kosovës, kanë nisur disa negociata për ndarjen e territoreve dhe ndryshimin e kufijve. Ne jemi shumë kundër kësaj. Kancerlarja Merkel është shumë kundër kësaj, i gjithë rajoni është kundër sepse ne kemi frikë se ka disa qëllime të fshehura të Rusisë për të përdorur këtë si një praktikë. Disa forcat në Rusi, por edhe Turqia kërkojnë ta përdorin këtë si një praktikë të re ndërkombëtare. Rusia për Abkazinë dhe Turqia për Qipron dhe problemet që kanë me Greqinë”, shprehet Zaev në gushtin e 2018-ës kur mendonte se fliste me Poroshenkon, pikërisht në kohën kur Thaçi hodhi idenë e korrigjimit të kufijve.
“Serbia është shumë e lidhur me Rusinë, normal që ata e kanë atë lloj raporti. Por për momentin problemi është me Kosovën. Mbase ju e dini këtë çështje. Zgjidhja që po diskutojnë është që 10 komuna në pjesën veriore të Kosovës ti jepen Serbisë, dhe disa komuna në jug të Serbisë ti jepen Kosovës. Ky është ndryshim kufijsh dhe nuk është i mundur sepse përtej vijave të reja kufitare sërish ka andej e këtij kufirit, si serbë edhe kosovarë dhe kjo vetëm se do të prodhonte luftëra”, paralajmëron kryeministri maqedonas duke zbuluar madje se ia ka shprehur këtë shqetësim edhe Zëvendëspresidentit amerikan, Mike Pence. Edhe pse një bisedë më dy komedianë (por që Zaev i dinte që fliste me Petro Poroshenkon dhe nuk bënte as pak humor), nuk ka asnjë deklaratë deri më tani nga Presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç.
Pas Zaev, “viktimë” edhe Haradinaj
Por më e keqja nuk do të përfundonte me publikimin e kësaj bisede në kanalin e dy komendianëve në Youtube, pasi pas kryeministrit Zaev, pre e tyre duket se ka rënë edhe ai e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Të martën në një konferencë për shtyp Zoran Zaev ka pranuar se është mashtruar, duke treguar po ashtu se u kishte dhënë humoristëve rusë numrin e telefonit të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, duke argumentuar se “është e natyrshme që t’ua japë numrat e telefonit liderëve rajonalë”.
Pas kreut maqedonas, komedianët duket se kanë folur edhe me kryeministrin Haradinaj. Përgjimi i kësaj bisede nuk është publikuar ende, por burime nga kabineti i kryeministri Haradinaj kanë bërë të ditur se edhe ai ishte mashtruar, pasi njëri prej tyre i ishin prezantuar si ish-presidenti I Ukrainës, Petro Poroshenko.
Pas kësaj bisede, Haradinaj bëri një gafë të madhe diplomatike, duke shkruar në Tuiter: “Përkrah “mikun e tim”, Petro Poroshenkon për zgjedhjet presidenciale në Ukrainë dhe i uroj fitoren kryeministrit të ardhshëm, Vovan Lexusov”. Por në fakt, emri “Vovan Lexusov” është i rremë dhe është kombinim i emrave të dy komedianëve Vovan dhe Lexus .
“E uroj popullin ukrainas për zgjedhje të lira dhe demokratike. Mikun tim Poroshenko dhe kryeministrit të ardhshëm Vovan Lexusov i dëshirojë të gjitha të mirat për ta udhëhequr Ukrainën drejt integrimeve euroatlantike. Kosova dhe Ukraina qëndrojnë së bashku si popuj të lirisë dhe prosperitetit”, kishte shkruar Haradinaj.
Pas skandalit në Shkup, mediat në Prishtinë kanë zbuluar sot se Haradinajt i ishte premtuar se Kosova do të njihet nga Ukraina, nëse Poroshenko fiton zgjedhjet presidenciale. Të mërkurën, dy komedianët kanë konfirmuar se kanë biseduar tre herë me Haradinaj. Lexus dhe Vovan së fundmi kanë mashtruar këngëtarin, Elton John dhe presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. Kritikët, megjithatë, dyshojnë se prapa tyre qëndron një sekret i errët, me dyshimin se kanë lidhje me shërbimin sekret rus.
Por a kanë nxjerë sekrete kryeministrat dhe kanë shkelur protokollet? Sigurisht, si Zaev ashtu edhe Haradinaj menduan se po flisnin me Porovshenkon, por në fakt këto telefonata diplomatike duket se kanë thyer shumë rregulla të protokollit zyrtar për thirrjet telefonike midis udhëheqësve të vendeve të ndryshme.
Për këto lloje telefonatash ekziston një procedurë formale dhe çdo bisedë është e planifikuar me përpikmëri. Për shembull kur një kryeministër telefonon ose merr një telefonatë nga udhëheqësit e tjerë të botës, ndihmësit e tij i sjellin atij një dosje të që përmban një portret të plotë të liderit me të cilin ai do të flasë në telefon. Dosja përfshin çdo gjë nga personaliteti dhe shëndeti i liderit deri te informacionin për fëmijët dhe bashkëshortët e tyre, madje e nëse personit në fjalë i pëlqen të bëjë shaka apo biseda që nuk kanë lidhje me politikën. Profilet e liderit botëror përfshijnë edhe presione politike, të dhëna personale, nëse ndonjë i afërm është i sëmurë rëndë, po çështje të shëndetit personal. Menjëherë pas thirrjes, zyrtarët nga të dyja palët publikojnë përmbledhje të shkurtra për shtypin vendas.
Për telefonatën vihet fillimisht në dijeni, Ambasada e vendit në fjalë, kabineti i kryeministrit dhe më pas vetë kryeministri, i cili i përmbahet udhëzimeve të dhëna nga ndihmësit e tij, procedurë që duket se është shkelur edhe nga Zaev edhe nga Haradinaj.
Cili është skenari që i trembet Zaevi?
Telefonatat e komedianëve me dy liderët e Ballkanit vijnë në një moment mjaft të tensionuar për rajonin, për shkak të frikës së rikthimit të luftës për territore. Përgjatë mujave të fundit asnjë nga liderët e rajonit nuk e ka diskutuar publikisht mundësinë e ndryshimeve territoriale, mirëpo Thaçi është shprehur i të gatshëm që Lugina e Preshevës ti bashkohet Kosovës, ndërsa ansjë pjese e territorit të saj nuk do të preket. Por një nga aleatët më të mëdhenj të Haradinajt, zëvëndës-ministri i Forcave të Armatosura të Armatosura, Burim Ramadani thotë se ideja për korrigjim të kufijve ka ardhur nga akademikët serb dhe ka për qëllim vetëm e vetëm ndarjen e Kosovës.
Pas detajeve të zbuluara nga kryeministri Zaev, ka reaguar po ashtu edhe ish-zv/kryeministrja Edita Tahiri dhe ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedimet me Serbinë, e cila ka fajësuar përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, duke thënë se ka shkelur pikërisht parimet demokratike, duke hyrë në aventura, të cilat do të mund të sillnin luftë në Ballkan.
Tahiri shprehet se është takuar disa herë në Bruksel me Mogherinin, duke thënë se ka krijuar vlerësime të ndryshme për punën pesëvjeçare të kryediplomates evropiane. Sipas ish-ministres, deri para një viti Mogherini ka mbrojtur parimet europiane në Ballkan, por së fundmi i ka shkelur duke lejuar delegacionet e Beogradit dhe Prishtinës të flasin për ndryshimin e kufijve.
Një reagim i ashpër ka ardhur po ashtu edhe nga Partia Demokratike në Tiranë, e cila është e bindur se kryeministri Edi Rama e mbështet këtë projekt dhe nuk është distancuar.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike Aldo Bumçi u shpreh se projekti për ndarjen e Kosovës ekziston vërtet dhe se kjo gjë u shërben interesave serbe dhe ruse dhe se edhe pas Samitit të Berlinit, Rama dhe bashkëpunëtorët e tij vazhdojnë me këmbëngulje për realizmin e këtij skenari.
“Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev pohon dhe një herë që projekti për ndarjen e Kosovës është i vërtetë, dhe ndryshe nga çfarë është përpjekur ta paraqesë Edi Rama në fakt ky është një projekt serb që i shërben interesave serbe dhe ruse, dhe qarqeve të caktuara që janë të interesuara për çdo lloj skenari ogurzi duke cënuar rëndë interesat e Kosovës. Kjo është tradhti e lartë ndaj interesave kombëtare dhe mos distancimi për asnjë moment i Edi Ramës nga ky projekt, dhe me keq akoma vazhdimi i mbështetjes së këtij projekti me deklarata dhe forma të tjera edhe pas Samitit të Berlinit tregon që Rama dhe bashkëpunëtorët e tij vazhdojnë me këmbëngulje në këtë drejtim. Ky është një lajm ogurzi për Kosovën, Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët në rajon, që tregon se fatet e kombit janë në duart e një grupi njerëzish të papërgjegjshëm që për interesat dhe pushtetin e tyre personal janë gati të tregtojnë dhe të zhbëjnë arritjet historike që kanë ardhur nga sakrifica sublime”, thotë ish-deputeti demokrat.
Por cilat janë dhjetë komunat për të cilat flet Zaev?
Një raport të hartuat nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave të vitin 2010, ku duket se ishte folur për herë të parë për ndryshimin e kufijve të Kosovës, sipas draftit të asaj kohe, Serbia synon që të marrë Veriun dhe më pas të njohë Kosovën si shtet. Drafti thotë se serbët janë të vetëdijshëm që ndarja e Kosovës do të ishte e papranueshme, kështu që fjalën ndarje ta zëvendësonin me ‘rregullim të brendshëm të kufijve administrative”.
Kosova do ta refuzonte ndarjen e territorit të saj. I vetëdijshëm për këtë, Beogradi, edhe pse ende jo publikisht, ka filluar të luajë me idenë e shkëmbimit të një pjese të madhe të Luginës së Preshevës me veriun e Kosovës, proces ky që do të përcillej me njohje të ndërsjellë. Zyrtarë të lartë mendojnë se nuk është e arsyeshme të lejohet që një pjesë e territorit, e banuar kryesisht me shqiptarët, të fundosë arritjen e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse”, thotë raporti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave.
Dokumenti gjithashtu përcakton se edhe nëse do të merreshin vesh Kosova dhe Serbia për shkëmbim të Veriut me Luginën e Preshevës, Beogradi ka disa vija të kuqe se deri ku mund të shkojë shkëmbimi i territorit.
“Linjat e kuqe të Serbisë në Luginë janë: baza ushtarake Jug në Cepotinë, në jug të qytetit të Bujanocit, autostrada drejt Selanikut e cila kalon përmes Preshevës e Bujanocit, si dhe komuna e Medvegjës”, thekson raporti.
Sipas autorëve serbë, katër komunat veriore të Kosovës, Zveçani, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Mitrovica Veriore duhet t’i bashkangjiten Serbisë. Këto katër komuna kanë pak më shumë se 42 mijë banorë në total, sipas raportit.
“Komunat e mësipërme de facto janë të integruara në sistemin ekonomik të Serbisë dhe zbatimi i këtij skenari nuk pason trazira shoqërore, etnike dhe në qeverisjen vendore”, vërejnë ekspertët serbë në raportin e tyre.
Kosovës propozojnë që t’i kalojë vetëm Komuna e Preshevës, me një popullsi rreth 30 mijë banorë dhe jo Medvegja e Bujanoci, megjithëse prezenca e shqiptarëve në këto dy komuna është e konsiderueshme.
Në raport përllogariten edhe përfitimet që do të kishte Serbia në rast të zbatimit të këtij skenari.
“Diferenca prej 12 mijë banorësh mund të konsiderohet fitim demografik dhe veç kësaj, nëse Presheva i kalon Kosovës dhe katër komunat Serbisë, kjo e fundit do të shtonte në sipërfaqen e saj 1 mijë kilometra/katrorë më shumë”, thuhet aty.
Kjo është pjesa e përgjithshme, por sipas gazetës Zëri, raporti përllogarit edhe përfitimet ekonomike që do të mbërrinin për Serbinë, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për pasuritë sipërfaqësore, por edhe çfarë përmban nëntoka në këtë pjesë të Kosovës.
Raporti i serbëve thotë se minierat e Trepçes do t’i siguronin Serbisë të ardhura vjetore deri në 90 milionë euro. Pra, në vetëm dy dekada Serbia do të përfitonte nga kjo marrëveshje plot 1.8 miliardë euro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.