Policia ka vënë në pranga në Rinas dy shtetas turq, të cilët janë kapur me viza false.
Ata janë arrestuar në flagrancë për veprat penale “Falsifikim i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, “Falsifikimi i dokumenteve”.
Në pranga kanë përfunduar shtetasit S. S. 39 vjeç dhe H. C. 41 vjeç, të cilët do të udhëtonin në Kanada.
Siç njofton policia, vizat e tyre janë dyshuar si të falsifikuara nga kontrollorët e Policisë Kufitare dhe janë kaluar në vijën e dytë për ekzaminim në laborator, ku kanë rezultuar viza false.
Gjatë 6 mujorit të parë të këtij viti nga Policia Kufitare e Rinasit janë proceduar dhe arrestuar 457 shtetas shtetas shqiptarë dhe të huaj për vepra të ndryshme penale, konkretisht: “Falsifikimi i dokumenteve”, “Kontrabanda” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave e sendeve me vlerë”, “Kalimi i paligjshëm i kufirit”.
Gjithashtu janë refuzuar në dalje 1.157 shtetas, të cilët nuk plotësonin kushtet për të lëvizur në hapësirën Schengen si dhe nuk është lejuar hyrja në territorin shqiptar për 60 shtetas me shtetësi të ndryshme.
Po ashtu policia bën me dije se janë kapur nga Policia Kufitare në Rinas në tentativë për të dalë jashtë vendit apo për të hyrë në Shqipëri me dokumente të falsifikuara 73 persona në kërkim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




