Lajme

1 mln euro pasuri nga mashtrimi, sekuestrohen pronat e çiftit italo-shqiptar

Policia e Shtetit ka vendosur masën e sekuestros preventive të gjashtë apartamenteve dhe një dyqani, me një vlerë totale prej 1 milionë eurosh dhe të vendosura si pronësi e një pensionisteje.

2 apartamente në Pogradec dhe katër të tjerë e një dyqan në Tiranë janë bllokuar nga ana e policisë së shtetit si pasojë e një hetimi në kuadër të operacionit të koduar “Transferta”. Dyshimet janë se pronat në fjalë janë produkt i veprës penale të falsifikimit dhe të mashtrimit të kryer nga shtetasja shqiptare A.D. në bashkëpunim me shtetasin italian, F.C.

Çifti në fjalë është procedura penalisht edhe nga Guardia di Finanzia në qytetin e Komos në Itali, ku u janë sekuestruar mbi 2 milionë euro, para të thata dhe pasuri të ndryshme.

Në Shqipëri, dyshohet se shtetasi italian me inicialet F.C., dhe shtetasja shqiptare, A.D., kanë përdorur mamanë e pensioniste të kësaj të fundit për të regjistruar pronat në fjalë dhe për të humbur burimin e parave të siguruara në mënyrë të paligjshme.

Çifti bashkëjetonte së bashku në Shqipëri që prej nisjes së hetimeve për mashtrim në Itali. Policia thotë se vijon hetimet për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë