Lajme

Tiranë, kapet shpërndarësi i kokainës në Bllok, procedohen dy të tjerë

Në sajë të operacionit policor “BLLOKU”, është goditur një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla, si dhe një rast i pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale. Policia e Tiranës ka arrestuar në flagrancë një shtetas, pasi shpërndante kokainë në kryeqytet. Po ashtu ka proceduar penalisht dy të tjerë për moskallëzim krimi.
Siç njofton policia, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2, pas marrjes së informacionit në rrugë operative se një shtetas, duke qarkulluar me automjetin e tij shpërndante kokainë në doza të vogla, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor “Blloku”.
Si rezultat i operacionit në rrugën “Brigada e 8”, punonjësit e policisë të Komisariatit të Policisë Nr. 2, kanë ndaluar për kontroll mjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin R. M, dhe me pasagjerë shtetasit A. M. dhe E. P.
Gjatë kontrollit në pjesën e brendshme të monitorit të kasetofonit policia ka gjetur dhe sekuestruar 43 doza me lëndë narkotike të dyshuar kokainë.
Gjatë kontrollit fizik të shtetasit E. P, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi prej 25500 franga zvicerane, 600 euro, 49500 lekë dhe 100 dollarë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe automjeti në posedim të shtetasit R. M. si dhe 6 telefona celular në posedim të shtetasve të lartpërmendur.
Policia bën me dije se është arrestuar shtetasi me inicialet R. M., 22 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Po ashtu janë proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasit:
E. P., 32 vjeç, banues në Tiranë, Sauk, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Moskallëzim Krimi”.
A. M., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzim Krimi”.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë