Lajme

Jepnin patenta pa kryer testin, arrestohen 16 zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës të Kosovës

Njëzet e tre të dyshuar, 16 prej të cilëve zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës të Kosovës, janë arrestuar për përfshirje në veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrja e ryshfetit”. Ata akuzohen për abuzime në dhënien e patentave.
Hetimi ka nisur që më 22 janar të këtij viti, kur Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë ka marrë një informacion mbi dyshimet e kryerjes së veprave penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrja e ryshfetit”, nga pronari i një auto-shkolle me seli në Fushë Kosovë dhe disa zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës.
Pas pranimit marrjes së këtij informacioni, hetuesit e policisë dhe Prokurorisë Themelore, Departamenti për Krime të Rënda, kanë filluar aktivitete konkrete hetimore, duke përfshirë të gjitha veprimet e avancuara hetimore. Policia, gjatë kësaj periudhe kohore ka siguruar prova-dëshmi që lidhen me veprat penale. Operacioni për arrestimin e këtyre 23 personave është kryer këtë të premte në mjediset e Ministrisë së Infrastrukturës – Departamenti për Patentë Shofer, në një auto-shkollë në Fushë Kosovë dhe një ordinancë në Fushë Kosovë.
Dyshohet se të dyshuarit u kanë mundësuar personave të interesuar që të pajisen me patentë shofer të kategorive të ndryshme pa kaluar nëpër testet e nevojshme, në kundërvlerë të parave varësisht prej kategorisë së patentë shoferit (400 – 1000 €).
Nga njëzet e tre të arrestuarit, 16 janë zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës-Departamenti për Patentë-Shofer, pesë të tjerë janë një menaxher, tre mjekë dhe një psikolog i një ordinance dhe dy të fundit e listës janë bashkëpronarë të një në autoshkolle).

https://www.facebook.com/KosovoPolice/posts/2434725479921307

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë