Lajme

Zhurma tej normave, policia merr masa për sezonin veror

Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike, Gjovalin Loka, në një dalje për mediat ka paralajmëruar se gjatë sezonit turistik Policia ka marrë të gjitha masat për garantimin e pushimeve të qeta dhe të sigurta për të gjithë pushuesit në zonat turistike dhe plazhe.
Sipas Lokës, një ndër më kryesoret është menaxhimi i nivelit të zhurmave në qendrat urbane, zonat turistike dhe ato bregdetare.
Ai u shpreh se do të ketë masa ndëshkuese për të gjithë ato lokale që me zhurma të larta, prishin pushimet e turistëve në zonat turistike dhe ato urbane.
“Me qëllim plotësimin e standardeve për pushime të sigurta dhe të qeta në zonat turistike dhe qendrat e banuara, Policia e Shtetit ka hartuar dhe po zbaton një plan masash të detajuar me detyra sipas strukturave përkatëse, në zbatim të detyrimeve institucionale të përcaktuara në aktet ligjore e nënligjore në lidhje me sezonin turistik veror 2019. Policia e Shtetit do të ushtrojë kontroll të pandërprerë dhe do të marrë masa të menjëhershme në funksion të shqetësimeve të ngritura nga qytetarët dhe pushuesit në zonat bregdetare e ato urbane, duke ndëshkuar sipas akteve ligjore në fuqi, çdo subjekt që gjeneron zhurmë tej normave të lejuara”, u shpreh ndër të tjera Loka.
Në fund, ai apelon ndaj të gjithave institucioneve që të ushtrojnë kompetencat e tyre, ndryshe do të ketë masa ndëshkuese.
“Në këtë kuadër, Policia e Shtetit apelon për të gjitha institucionet që kanë detyrime në kuadrin e Task – Forcës, që të ushtrojnë kompetencat e tyre ligjore dhe të marrin masa të menjëhershme për disiplinimin e nivelit të zhurmave, duke iu përgjigjur në kohë shqetësimit të qytetarëve, në të kundërt do të merren masa jo vetëm ndaj subjekteve që krijojnë ndotje akustike, por dhe ndaj përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse, që nuk përmbushin detyrimet”, përfundoi Loka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë