Në sajë të operacionit antidrogë “Porosia e Fundit”, është goditur një tjetër veprimtari kriminale e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla. Policia e Kavajës ka vënë në pranga 3 shtetas, pasi ushtronin këtë veprimtari kriminale. Gjithashtu ka sekuestruar rreth 11,7 kg cannabis sativa, 2 aparate celulare dhe një sasi lekësh.
Policia bën me dije se kanë arrestuar në flagrancë shtetasit:
M. K., 23 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë,
O. L. 25 vjeç, lindur dhe banues në Divjakë,
E. M. 39 vjeç, lindur dhe banues në Divjakë.
Shtetasi M. K., është vënë në pranga pasi gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tij, iu gjet një sasi prej rreth 1 kg lëndë narkotike kanabis, si dhe një sasi lekësh që dyshohet se janë përfituar nga shitja e lëndës narkotike, dy aparate celulare që përdoreshin për të siguruar klientelë, si dhe një automjet që mundësonte shpërndarjen e lëndës narkotike.
Siç njofton policia, operacioni më tej ka vijuar në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Divjakë, në fshatin Çermë, ku u bë arrestimi i shtetasit O. L., 25 vjeç, pasi gjatë kontrollit në magazinën e tij afër vendit ku banonte, iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi prej rreth 10,7 kg lëndë narkotike kanabis.
Po në kuadër të këtij operacioni është vënë në pranga edhe shtetasi E. M., 40 vjeç banues në Zharnec-Divjakë.
Nga hetimet paraprake rezultoi se shtetasit O. L, dhe E. M, siguronin lëndë narkotike dhe ia shisnin shtetasit M. K., i cili më pas e shpërndante në doza të vogla, në qytetin e Kavajës.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




