Socialistët do të kenë 60 bashki që do të drejtojnë për katër vitet e ardhshme, ku vetëm një njësi i është lënë partisë së minoritetit MEGA, ajo e Finiqit, aleatit të PS-së. E gjithë harta e bashkive do të jetë ngjyrë mavi, duke bërë që për herë të parë në historinë e pluralizmit një parti politike të zotërojë të dyja pushtet, qendrorin e lokalin. Por nuk mjafton vetëm kaq. Socialistët do të zotërojnë mbi 90% edhe të këshillave bashkiakë.
Instituti i Studimeve Politike në një studim shprehet se në zgjedhjet lokale 2019 ka edhe një dukuri interesante: për herë të parë në historinë e një vendi demokratik ka bashki ku 100% e votave kanë kaluar për kryetarin (pa rivalë) dhe për partinë e kryetarit në këshill (me disa parti të tjera rivale). Kështu, Delvina dhe Konispoli do të mbeten në histori si bashkitë e para në Shqipëri dhe në praktikat e vendeve demokratike, ku një parti e vetme ka zgjedhur kryetarin me 100% të votave dhe këshillin bashkiak me 100% përbërje nga partia e kryetarit.

Në 29 bashki të tjera ku kryetarët janë zgjedhur me 100% të votave (pa kandidatë formalë përballë), nuk ka ndodhur që edhe këshilli të ketë 100% përbërje të partisë së tij. Përkundrazi, në bashki si Hasi, PS ka 100% të votave për kryetarin dhe vetëm 22.41% vota në sistemin proporcional, pra për listën e saj shumë-emërore për këshill. Diferenca midis votave për kryetarin (pa kandidatë rivalë) dhe këshillin (me parti rivale) është -77,59%, një rekord gjithashtu tjetër i zgjedhjeve lokale 2019.

Tabela, sipas ISP-së tregon diferencat më të vogla dhe diferencat më të mëdha në shkallë vendi midis votave për kryetarin (me ose pa rivalë formalë) dhe votave në proporcional për partinë e kryetarit (me parti të tjera rivale, në koalicion ose luajale me PS). Siç shihet në vendin e tretë me diferencë më minimale është Kavaja, ku praktikisht kryetari i zgjedhur me 98% të votave nuk kishte rivalë, pasi kandidati tjetër në fletën e votimit kishte dhënë dorëheqje më parë, ndërsa në këshill partia e kryetarit ka 94% vota, shifra e tretë më e lartë në vend. Kavaja është një prej bashkive që drejtohej nga opozita, ndaj edhe dominimi me 98-94% nga socialistët shpreh një prej paradokseve të tjera të mëdha të mënyrës sesi u organizuan dhe zhvilluan këto zgjedhje. Interesant është gjithashtu fakti se në një 12 bashki, PS, e cila është fituese 100% e pozitës së kryetarit, si parti ka më pak se 35% të votave në proporcional, me një hendek të madh që varion nga me 56% në 77% midis përqindjes së votave për kryetarin dhe atyre për këshillin bashkiak.
Pazaret lokale për këshillin
Në zgjedhje lokale është vërejtur që parti të vogla me shumë ndikim nga të zgjedhurit e zonës kanë marrë më shumë vota se Partia Socialiste Kjo sigurisht kjo edhe në bashkëpunim me PD-në apo dhe PS-në. Ky fenomen për këto zgjedhje u vërejt te bashkitë e vogla, ku Partia Socialiste doli parti e dytë në këshill, duke ia lënë aleatëve të saj, apo subjekteve të tjera. Në shumicën e këtyre zonave zgjedhore pazaret e vogla lokale ose marrëveshjet për shkëmbim postesh midis kryetarit e këshillit, sipas ISP-së kanë pasur ndikim të madh në parcelizimin e votave në këshill. Fitues të tjerë në këshill janë kryesisht parti të panjohura, në disa raste krejtësisht të panjohura, por në një proces pa praninë e opozitës dhe me kontroll të plotë nga një parti e vetme ishte e pritshme të kishte përllogaritje të votave në favor të detyrimeve personale ndaj partizave të vogla apo grupeve lokale mbështetëse në zgjedhjet lokale e parlamentare.

Megjithatë ka disa zona specifike ku PS nuk ka pasur rezultat të lartë as në 3-4 zgjedhjet e fundit lokale. Kështu PS-ja është parti e dytë në këshillin bashkiak të Pukës. Nga numërimi i votave subjekt i parë rezultoi Partia Kristandemokrate, e drejtuar dikur nga ish-deputeti i Parlamentit Mark Frroku. Kjo parti, PKD ka marrë 29,3 % të votave, ndërsa PS-ja 27,6%
Në Finiq, PS-ja rezulton si forcë e dytë. MEGA, partia e minoritetit është forca e parë politike, me 40% të votave në këshill, ndërsa PS-ja 34%. Ndërsa në disa bashki, Partia Socialdemokrate ka rezultuar si forcë e dytë politike. Në Shkodër, PSD e Gjinushit ka marrë 16% të votave, e kjo për faktin se kjo parti politike është mbështetur nga deputeti Tom Doshi.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




