Lajme

SHBA për zgjedhjet: Kush ka ankesa të presë Gjykatën Kushtetuese

Ambasada Amerikane në Tiranë doli me një deklaratë në të cilën “njeh” rezultatin dhe gjithë procesin zgjedhor të së dielës, përsa kohë Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosur për të kundërtën.

Të njëjtën gjë Ambasada kërkon që ta bëjë edhe klasa politike në Shqipëri, duke iu drejtuar qartazi koalicionit opozitar, por edhe Presidentit të Republikës që nuk i njohin këto zgjedhje. Presidenti i cilësoi si “votime socialiste”, ndërsa Partia Demokratike si “farsë e Edi Ramës”.  

“Ne iu bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë që të respektojnë shtetin ligjor dhe të punojnë brenda institucioneve ngritura për të përcaktuar rrugën përpara për demokracinë shqiptare, përfshi përparimin me reformat e rëndësishme zgjedhore të rekomanduara nga ODIHR. Ata që dëshirojnë të sfidojnë rezultatin e zgjedhjeve, mund të presin nga Gjykatën Kushtetuese, e cila shpresojmë do të ngrihet së shpejti, me gjykatës të cilët kanë kaluar një proces rigoroz vetingu. Si gjithnjë, Shtetet e Bashkuara janë në krah të popullit shqiptar si një vend partner, një mik dhe një aleat. Ne jemi të përkushtuar të ndihmojmë për forcimin e shtetit ligjor dhe ndërtimin e një demokracie më të fortë dhe një të ardhmeje më të ndritur për të gjithë shqiptarët”, thuhet në deklaratën e ambasadës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës pajtohen me gjetjet paraprake të misionit të OSBE/ODIHR për ecurinë e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe i bëjnë thirrje të gjithë klasës politike shqiptare që të reflektojë dhe të kanalizojë aksionin e saj në rrugë institucionale.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin përfundimet e misionit vëzhgues të ODIHR-it, sipas të cilave zgjedhjet bashkiake të 30 qershorit u zhvilluan përgjithësisht në mënyrë të qetë dhe të rregullt, si dhe dhanë një vlerësim të përgjithshëm pozitiv për numërimin e votave. Ne pranojmë, megjithatë, ashtu siç e vuri në dukje edhe misioni i ODIHR-it, se ngërçi dhe polarizimi politik kontribuan për zgjedhje në të cilat votuesit nuk kishin një zgjedhje kuptimplotë. Pavarësisht pengesave, populli shqiptar – qoftë ata që morën pjesë në zgjedhje, ashtu edhe ata që abstenuan – ushtruan të drejtën e tyre demokratike në mënyrë paqësore dhe ne i përgëzojmë për këtë”, deklaron përfaqësia diplomatike e Uashingtonit në vendin tonë.

Ky ishte reagimi i parë i Ambasadës Amerikane pas procesit zgjedhor, ndërkohë që para zgjedhjeve deklarata të shpeshta të kësaj ambasade bënin apel kundër dhunës dhe lejimin e ushtrimit të së drejtës së votës për qytetarët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë