Lajme

Zgjedhjet me standarde? ODIHR e vendos pas dy muajsh

Misioni ndërkombëtar i OSBE-së dhe ODIHR nuk jep vlerësim mbi faktin nëse zgjedhjet i plotësuan ose jo standardet në zgjedhjet e 30 qershorit. Shefja e misionit Audrey Glover iu shmang vlerësimit të standardit të këtyre zgjedhje, duke theksuar se atë do ta jepte në një raport final, pas dy muajsh, ndërsa pati vërejtje për të dyja palët, si për opozitën që bojkotoi ashtu edhe për PS-në.
Por a ishin këto zgjedhje të lira dhe të ndershme? Kësaj pyetje Glover iu shmang me diplomaci, duke theksuar se “Nuk e përdorim më të lira dhe të ndershme, por nuk ka kuptim, se mund të jenë të lira, por jo të ndershme dhe e anasjelltas”. “Ne në raportin përfundimtar identifikojmë dhe fushat që mendojmë se ka ende nevojë për punë. Sigurisht do të ketë rekomandime për këto fusha problematike, por siç e dini rekomandime janë bërë shumë këto 13 rastet kur ka pasur zgjedhje, por kam frikë se shumica e rekomandimeve ende nuk janë zbatuar”, shtoi ajo.
Sa i përket presionit ndaj zgjedhësve të konstatuar, që sipas Glover ishin nga të dyja partitë, si për të votuar, si dhe për të mos votuar, kjo nuk duhet lejuar. “Sa i përket presioneve mbi votuesit, është e qartë se votuesit duhet ti njohin mirë kandidatët e programet e tyre në mënyrë se kë duhet të zgjedhin, se ata votues e dinë vetë, dhe është e qartë se presioni nuk duhet të ushtrohet”, deklaroi Glover.

Ambasadori italian, ai i OSBE me Glover

Sipas shefes së misionit ndërkombëtar votuesit më 30 qershor ishin në presion. Gjithashtu ajo theksoi se nuk ishte detyrë e saj që të certifikojë zgjedhjet. “Zgjedhjet u zhvilluan në një mjedis tejet të ngarkuar dhe polarizuar politikisht. Presidenti bëri një deklaratë dhe më pas nxori dekrete me qëllim shtyrjen e këtyre zgjedhjeve. Kryeministri ishte i vendosur të vazhdonte me zgjedhjet me mbështetjen e parlamentit, dhe KQZ vijoi me përgatitjet. Më 14 qershor kryetarët e 27 bashkive u kërkuan KZAZ të lironin ambientet dhe që nga ai moment disa prej tyre u shkatërruan të tjerat u mbyllën dhe u bënë jo funksionale. E gjithë kjo çoi popullatën konfuze”, theksoi Glover.

Drejtuesja e misionit të vëzhguesve në Shqipëri është pyetur nga gazetarët për fenomenin e gjetjes së më shumë fletëve në kutitë e votimit sesa numri i votuesve. Glover tha se po e dëgjonte për herë të parë këtë pretendim dhe se ODIHR ishte duke marrë ende informacione nga vëzhguesit në terren.

Glover në konferencën për shtyp

Shefja e ODIHR, tha se nëse ka mbushje fiktive të kutive të votimit, autoritetet duhet ta verifikojnë qartë atë. “Ka më shumë vota në kuti se sa votues në kuti? Në lidhje me numrin e votuesve që raportohen që është më i vogël se sa fletët në kuti, këtë po e dëgjoj tani. Po marrim informacione nga vëzhguesit tanë, dhe shpresoj që autoritet të marrin masa nëse do të ketë mbushje fiktive të kutive”, tha Glover.

Për herë të parë Glover theksoi se nuk është puna e misionit të saj që të certifikojë këto zgjedhje, duke lënë të kuptohet se tashmë duhet të jenë gjykatat që vendosin për to.

“Në fakt nuk është puna jonë që të certifikojmë zgjedhjet, por e autoriteteve shqiptare. Nuk është mandati ynë të bëjmë një gjë të tillë, në raportin tonë përfundimtar do të tregojmë qëndrimin tonë. Duhet të bëhen nga një trupë të madhe gjykatësish, për të parë nëse certifikohen Nuk mund të themi ende nëse janë plotësuar standardet”, ambasadorja.

Pyetjes nëse KQZ-ja veproi si e pavarur, Glover u shpreh se “nuk kemi asnjë arsye të supozojmë se nuk operoi si i pavarur. Ishte konstruktiv ashtu sikur kishte disa raste kur vendime të KQZ ishin me pikëpyetje”.

Kur u pyet nëse pajtohet me akuzat e opozitës, e cila e ka “pagëzuar” KQZ-në  si Komision të Vjedhjes, Glover tha se kërkon më shumë informacion për pretendimet. “Nuk e di saktësisht se cilat kanë qenë këto pretendime dhe akuza dhe ku bazohen. Do të doja të dija më shumë që të isha në gjendje të thosha jam apo nuk jam dakord”, theksoi ambasadorja.

Misioni ODIHR dhe OSBE ishte i vetmi nga ndërkombëtarët që mbërriti në Shqipëri për të monitoruar zgjedhjet e 30 qershorit, pas anulimit që bëri Këshilli i Europës. Misioni vëzhgues i Zyrës së OSBE-së përbëhet nga 174 vëzhgues nga 33 vende të ndryshme.

Disa nga konkluzionet e OSBE/ODIHR

Zgjedhjet 30 qershorit u mbajtën pa marrë në konsideratë interesin e elektoratit. Opozita vendosi të mos merrte pjesë, kurse qeveria u tregua e vendosur për t’i mbajtur pa opozitën.

Në një klimë tensioni dhe ngërçi dhe polarizimi politik, votuesit nuk patën mundësi të zgjidhnin mes disa opsioneve politike.

Ajo çka ishte pozitive, ishte votimi u zhvillua përgjithësisht në mënyrë të qetë dhe paqësore, ndërkohë që numërimi u vlerësua në përgjithësi pozitivisht, ndonëse disa procedura nuk u ndoqën gjithmonë me korrektësi.

Përbërja e paekuilibruar  politikisht e administratës zgjedhore, thirrjet e partive opozitare ndaj zgjedhësve për të bojkotuar  zgjedhjet dhe interpretimet kontradiktore të vlefshmërisë së dekreteve të presidentit që anulonte zgjedhjet e 30 qershorit cenuan besimin e publikut te procesi.

Dita e zgjedhjeve qe përgjithësisht paqësore , me protesta të vogla dhe disa raste të izoluara vandalizmi ose dhune të vërejtura  në disa zona.

Votimi në grup, duke përfshirë edhe votimin familjar, si dhe votimi me prokurorë u vu re në 12 për qind të vëzhgimeve

Pothuajse 2/3 e Qendrave të vëzhguara të votimit nuk krijuan mundësi për hyrjen në mënyrë të pavarur të zgjedhësve

Numërimi u vlerësua pozitivisht në 51 VNV të vëzhguara, përveçse në 6 prej tyre, ndonëse në disa nuk u ndoqën gjithmonë me korrektësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë