Pas përfundimit të votimeve të 30 qershorit, vjen edhe reagimi i parë i presidentit Ilir Meta. Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, presidenti Meta u shpreh se Shqipëria dje i shpëtoi kurthit të një përplasje civile.
“Urime të gjithë qytetarëve që dje iu larguan konfrontimit dhe dhunës duke respektuar në mënyrë qytetare njëri-tjetrin, pavarësisht nga qëndrimi ndaj votimeve socialiste të thirrura nga kryeministri Rama.
Shqipëria shpëtoi nga kurthi i përplasjes civile, ndaj i falënderoj nga zemra të gjithë shqiptarët që nuk ranë viktimë e retorikës konfrontuese të liderëve të papërgjegjshëm, që përmes nxitjes së dhunës duan të fshehin skandalet dhe llogaridhënien e tyre”, u shpreh Meta.
Presidenti Meta ironizoi me faktin se jo vetëm u votua, por u tejkalua edhe plani.
“Për sa i takon tejkalimeve të planit në votimet socialiste, asnjë surprizë nuk kisha.
Tani me duhet të ‘shpik’ një dekoratë të re, që besoj me ndihmën e Kuvendit socialist do miratohet, atë të ‘Heroit të votave socialiste’”, tha ndër të tjera presidenti Meta.
Në përfundim e mbyll reagimin e tij me postimin e një videoje nga Bashkia e Finiqit, në të cilën gjatë ditës së djeshme u shënua fenomeni i votimeve kolektive.
“Për të shijuar rikthimin e kohës së votimeve kolektive, ju ftoj të ndiqni edhe këtë video”, përfundon Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




