Lajme

Pjesëmarrja-Të burgosurit votojnë më shumë se qytetarët e lirë

Të drejtën për të votuar e gëzojnë edhe të burgosurit që nuk privohen nga vullneti për të zgjedhur nga ligji i dekriminalizimit. Në total, lista e të dënuarve me të drejtë vote, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve ishte rreth 2150 persona.

Saktësisht 799 të burgosur kanë votuar këtë të diel, ose e thënë në përqindje, 37 për qind e totalit të listës së zgjedhësve të burgosur. Kjo shifër është thuajse dy herë më e lartë se shifrat paraprake për pjesëmarrjen e zgjedhësve jashtë qelisë, që është 19.4 për qind deri në orën 18:00, sipas KQZ-së.

Rekordin e mban burgu i Kukësit. Me një kapacitet prej 36 të dënuarish, ose personash në ndjekje penale me masë sigurie arrest me burg, në këtë institucion kanë votuar që të gjithë. Sipas të dhënave, 100 për qind e të burgosurve atje kanë votuar këtë të dielë. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thotë në faqen e saj zyrtare se aktualisht në këtë burg mbahen 31 persona, ku 28 janë në ndjekje penale dhe 3 të dënuar.

Pjesëmarrja më e ulët është regjistruar në burgun e Korçës, ku kanë votuar vetëm 15 për qind e të dënuarve me të drejtë vote. Ndërkohë, në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit, ku mbahen të burgosur të rrezikshëm, procesi nuk është zhvilluar fare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë