Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi pak pas orës 11:00 se pjesëmarrja në votime deri në atë moment, sipas të dhënave të marra nga komisionet e qendrave të votimit ishte diku tek 12 për qind e personave më të drejtë vote.
Shifra e KQZ-së sugjeron një pjesëmarrje të kënaqshme nëse krahasohet me zgjedhjet vendore të katër viteve më parë. Në zgjedhjet e 21 qershorit 2015, pjesëmarrja deri në mesditë e raportuar nga KQZ në atë kohë varionet nga 9.45 për qind në Qarkun e Vlorës deri në 14.41 për qind në Lezhë.
Sipas këtyre të dhënave, thirrja e opozitës për të bojkotuar këto zgjedhje nuk ka dhënë asnjë efekt deri më tani, por mbetet për t’u parë në përfundim të të gjithë procesit, nëse pjesëmarrja do të kapë nivelin e 48 përqindëshit, aq sa ishte pjesëmarrja në 2015.
Në rrjetet sociale, mbështetës të Partisë Socialiste kanë nisur hashtagun #unëvotoj, si një kundërpërgjigje ndaj thirrjes së një grupi intelektualësh, të mbështetur edhe nga Partia Demokratike #unënukvotoj.
#UneVotova dhe ishte super?#VotoedheTi per Shqiperine?? pic.twitter.com/drnh4D6UpR— Endri Fuga (@endrifuga) June 30, 2019
Drejtues të opozitës denoncojnë po në rrjetet sociale me video dhe foto, sipas tyre, blerjen e pjesëmarrjes nga mazhoranca. Mes këtyre denoncimeve, Edi Paloka ka publikuar edhe disa imazhe që tregojnë fletë votimi me shënime, “Unë nuk votoj në monizëm” dhe “Rama Ik”.
Procesi nis i qetë, incidente minimale
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve raportoi se procesi i votimit nisi i qetë pothuajse në të gjithë vendin, me përjashtim të disa qendrave të votimit në Qarkun e Shkodrës, ku vonesat u arsyetuan me vështirësitë që hasi administrata zgjedhore për sistemimin e materialeve zgjedhore në shkollat e mbyllura në territorin e Bashkisë së Shkodrës dhe moszëvendësimi i materialeve të shkatërruara dy ditë më parë në Bashkinë e Vaut të Dejës.
Policia njoftoi nisjen e procedimit penal ndaj kryebashkiakes së Shkodrës, Voltana Ademi për urdhrin e nxjerrë për punonjësit e kësaj bashkie që të mbyllnin ambientet e qendrave të votimit në territorin e kësaj bashkie. Policia thotë se ky urdhër është dhënë për mbylljen e 53 qendrave në këëtë qytet.
Në Qarkun e Kukësit nuk raportohet asnjë problem. Komisionerët thonë se vetëm në një qendër votimi procesi nuk nisi në kohë, ndërsa në të gjithë pjesën tjetër u hapën dyert që në orën 7 të mëngjesit. Deri në orën 10:00 u raportua një pjesëmarrje mjaft e ulët e votuesve në këtë qark.
Në Tiranë qendrat e votimit u hapën në të gjithë qarkun. Procesi vijon i qetë dhe pa ndërprerje, pavarësisht protestave të disa grupeve mbështetësish të opozitës, që e cilësojnë votimin një farsë elektorale.
ZëvendësKryeministri Erjon Braçe dhe kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi ishin të parët drejtues të shumicës që votuan. Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla votoi në Librazh, vendlindjen e tij. Mesazhi i përcjellë prej tyre ishte ftesa për të votuar drejtuar qytetarëve. Ndërkohë, Partia Demokratike kërkoi që procesi të bojkotohet. Kryeministri Edi Rama votoi në Surrel. Edhe ai ftoi qytetarët që të ushtrojnë të drejtën kushtetuese të votimit, ndërsa këtë ditë e vlerësoi si historike dhe një leksion demokracie.
“Besoj kjo ditë konfirmon njëherë e përgjithmonë se popullin nuk luhet, se sovraniteti nuk është fjalë boshe dhe kush tenton t’ja marrë popullit sovranitetin nuk ka asnjë fund tjetër veçse fundit me dështim dhe më turp”, tha Rama, që edhe njëherë tjetër tërhoqi vëmendjen me veshjen e zgjedhur për këtë ditë.
Në qëndrën e votimit të vendosur në “Unazën e Re”, ku familjarët e prekur nga projekti për zgjerimin e kësaj rruge protestojnë që prej tetorit të vitit të kaluar, deri në orën 9 pjesëmarrja ishte mjaft e ulët.
Edhe në Kamëz qëndrat e votimit u hapën pa probleme. Grupe mbështetësish të opozitës protestuan para qendrave të votimit të kësaj bashkie, por incidente nuk pati. Procesi në këtë bashki po vëzhgohet edhe nga përfaqësues të Ambasadës Amerikane.
Incidenti më i rëndë ndodhi rreth orës 10:00 në Bashkinë e Durrësit. Policia raportoi se një person i armatosur ka hyrë në një qendër votimi duke shkatërruar kutinë ku hidhen fletët e votimit. Policia ka ndërhyrë dhe thotë se arrestoi në flagrancë autorin, ndërkohë që procesi është ndërprerë.
Komisionet e qendrave të votimit përbëhen vetëm nga përfaqësues të Partisë Socialiste, ndërkohë që burime nga Partia Demokratike konfirmojnë se pranë qendrave të votimit kanë vendosur vëzhgues për të dokumentuar, sipas opozitës, rritjen fiktive të pjesëmarrësve në votime nga ana e shumicës.
Paralelisht me këtë, nënkryetari i PD-së, Edi Paloka denoncoi edhe me anë të një videoje, atë që ai e quajti blerje e votës nga ana e përfaqësuesve të PS-së në Tiranë.
“Video tregon qartë me zë dhe me figurë dhënien e parave për blerjen e votës nga një grup i strukturuar kriminal i Partisë Socialiste dhe i Bashkisë së Tiranës. Partia Demokratike ka mundur të identifikojë deri tani se njëri nga personat I përfshirë në këtë krim zgjedhor është Edmond Hajro, Komisioner I PS tek njësia nr 9 Tiranë, pranë kopshtit numër 3. Ai ëhstë administrator i një pallati, i emëruar nga Bashkia e Tiranës”, tha Paloka, duke shtuar qytetarët po e bojkotojnë këtë proces.
Pjesëmarrja e ulët konfirmohet nga një pjesë e madhe e komisioneve të qendrave të votimit, të kontaktuara nga gazeta “Si” në Tiranë. Por, komisionerët presin që në orët e pasdites numri i qytetarëve që do të shfaqen për të votuar të shtohet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)





























