Lajme

Krimi zgjedhor, 75 të proceduar nga prokuroria

Në zbatim të urdhrit të kryeprokurores Arta Marku dhe mbi bazën e dispozitave të Kodit Penal prokuroritë në rrethe janë vënë në lëvizje kundër krimit zgjedhor.

Sipas informacionit të administruar nga Prokuroritë pranë Gjykatave të Rretheve Gjyqësore dhe Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, deri në këtë moment, rezulton se numri i përgjithshëm i çështjeve të regjistruara për vepra penale që prekin zgjedhjet e lira në funksion të fushatës së zgjedhjeve vendore të datës 30 qershor 2019, është gjithsej 12 me një total prej 75 personash të arrestuar ose të ndaluar nga policia.

Ndaj të proceduarve rëndojnë një sërë akuzash, që nga “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Pengimi i subjekteve zgjedhore” e deri tek “Thirrjet publike për veprime të dhunshme”. me akuzën e fundit përballet ish-deputeti i PD, Aurel Bylykbashi për një deklaratë të tijën ku tha se edhe nëse ka vëllavrasje, Rama duhet të largohet.

Numrin më të lartë të të proceduarve e ka regjistruar Shkodra, ndjekur nga Mati, Elbasani dhe më pas të tjera zona ku ka patur protesta të mbështetësve të opozitës kundër procesit zgjedhor të së dielës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë