Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha doli mbrëmjen e së shtunës në një deklaratë për median ku e cilësoi procesin e 30 qershorit si një shkelje të Kushtetutës dhe një farsë. Për këtë shkak Basha bëri thirrje për të mos votuar më 30 qershor, si dhe të mos bien pre e provokimeve për dhunë.
“Ky regjim është plagosur dhe do të rrëzohet shumë shpejt. Ka shumë njerëz që mendojnë se me autokratë si Edi Rama, dhuna është i vetmi mjet për ta hequr. Unë nuk besoj se dhuna është zgjidhja. Forca jonë është te këmbëngulja, duriomi dhe kurajoja jonë. Asnjë rezultat dhe pushtet politik që del nga dhuna nuk ka sjellë gjë të mirë për popujt.Nga dhuna nesër nuk përfiton askush veç Edi Ramës. Dhuna dhe viktimat i shërbejnë vetëm Edi Ramës. Rrëzimi i Edi Ramës nuk do të vijë duke përplasur shqiptarët me njëri-tjetrin, nuk mund të vijë duke goditur, duke rrahur apo lënduar njëri-tjetrin. Fundi i Edi Ramës po vjen nga braktisja dhe izolimi i tij”, deklaroi lideri i PD-së.
Ai përsëriti apelin për të shmangur dhunën në procesin e votimit.” Asnjë rezultat politik, asnjë pushtet politik që del nga dhuna, nuk ka sjellë kurrë asgjë të mirë për popujt dhe për qeverisjet e tyre. Dhuna prodhon ndërrime mekanike të pushtetit, pa bërë asnjë pastrim dhe transformim. Dhuna krijon përligje kriminale tek ata që vinë në pushtet prej saj. Unë besoj se nga dhuna në 30 qershor nuk përfiton askush përveç Edi Ramës”, tha më tej kryedemokrati.
Basha përsëriti apelin për të mos votuar më 30 qershor dhe për të bojkotuar këtë proces, por iu drejtua edhe atyre që sipas tij janë të detyruar që të shkojnë të votim nga frika se po shkarkohen nga puna, duke paralajmëruar protestat e opozitës. Dhuna nuk do të prodhonte përfitime politike, do të linte plagë të hapura dhe probleme të pazgjidhura. Unë dhe demokratët nuk besojmë te dhuna. I them cdo demokrati, jeni krenar, i keni bërë një shërbim të madh Shqipërisë duke mos rënë pre e dhunës dhe provokimeve. Kam vetëm një thirrje, mos bini pre e provokimeve për dhunë. Mos shkoni të votoni, bojkotoni. Nëse jeni të detyruar, rezistojini regjimit, ngrijeni zërin në protesta në rrugë dhe në sheshe në mënyrë paqësore. Nesër bashkim, kurajo dhe jo dhunë. Nga dhuna nesër nuk përfiton askush përvec Edi Ramës. Dhuna dhe viktimat i vlejnë vetëm Ramës. Rrëzimi i Ramës nuk do të vijë duke përplasur shqiptarët, duke goditur e rrahur njëri-tjetrin”, theksoi Basha.
Tre aksionet e PD në ditën e zgjedhjeve
Opozita ditën e zgjedhjeve mësohet se do të organizojë protesta në të 61 bashkitë e vendit. Ky mësohet se është urdhri i kryedemokratit Lulzim Basha dhënë për strukturat e partive gjatë takimeve që ka pasur sot gjatë ditës. “Janë disa zona ku do të protestohet. Pothuajse në 61 bashkitë e vendit, PD dhe mbështetësit e saj do të protestojnë duke nisur nga ora 7 e mëngjesit para KZAZ-ve, pa shmangur qendrat e qytetit. Edhe në Tiranë do të jetë e njëjta situatë”, mësohet se ka deklaruar Basha.
PD e Tiranës ka kërkuar leje te policia për organizimin e protestës nga ora 07:00 deri në ora 20:00 orar që parashikohet grumbullimi i kutive të votimit në Qendrat e Numërimit të Votave pranë KZAZ-ve.
Basha ka kërkuar shtim të vëmendjes së gjithë strukturave për të dokumentuar çdo lloj parregullsie në votimet e ditës së nesërme.
Opozita aksionin politik e ka fokusuar tek dokumentimi i parregullësive në mënyrë që të hartojnë një dosje të plotë për ti cilësuar këto votime jo legjitime dhe për ta përdorur këtë dosje jo vetëm për debatin politik, por për ta shpërndarë në kancelaritë e vendeve të BE dhe SHBA. Për këtë qëllim në selinë blu janë ngritur tre grupe monitorimi, një grup përbëhet nga zyrtarë të lartë të PD do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësues të partive aleate dhe drejtuesit e PD-së në rrethe. Një grup tjetër do të jetë në kontakt me mediat dhe grupi i tretë për marrëdhëniet me ndërkombëtarët. Këto pritet të jetë edhe aksioni i opozitës ditën e zgjedhjeve, edhe pse nuk merr pjesë në zgjedhje do të ndjekë nga afër mënyrën se si po shkon procesi.
Tensionet nuk kanë munguar gjatë disa së sotme sa i përket në qytetet ku drejtohen nga opozita. Bashkiakët e opozitës kanë bllokuar shkollat, duke mos lënë që të ngrihen Qendrat e Votimit. Kjo detyroi policinë që të shpërthente me forcë ambientet e kyçura si dhe të ndalojë disa punonjës të administratës vendore.
Shkodra, Kukësi, Dibra shihen si zonat më të nxehta për ditën e zgjedhjeve, aty pritet të jetë edhe vëmendja më e madhe e medias dhe e ndërkombëtarëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




