Një përplasje e fortë deklaratash është shënuar sot ndërmjet deputetes demokrate Rudina Hajdari dhe presidentit Ilir Meta. Deputetja demokrate do të akuzonte kreun e shtetit se nuk guxoi të ftonte bashkëshorten e tij në konsulta si kryetare e LSI-së, si dhe shmangu opozitën parlamentare nga këto konsulta.
“Sa turp! Presidenti jonë takohet me nënkryetarin e LSI-së dhe ish-nëpunësin e tij se nuk takon dot gruan e tij si kryetare e LSI-së, ndërkohë nuk ka bërë asnjë tentativë për tu takuar me asnjë deputet të opozitës brenda Kuvendit të Shqipërisë dhe pretendon se është i paanshëm”, do të shkruante Hajdari në rrjetet sociale
.
Pikërisht ky status shërbeu që të niste dhe “lufta” mes saj edhe Presidentit, i cili preferoi që të reagonte nëpërmjet zëdhënësit Tedi Blushi. “I zhgënjyer shumë që Rudina nuk po e respekton “heshtjen zgjedhore” të partisë së saj të re që shkon nesër në votime. Megjithatë e mirëkuptojmë për shpërdorimin që i bën mbiemrit Hajdari, të paktën derisa t’i kalojë mami vettingun”, do të reagonte Blushi, duke nënkuptuar se e ëma Fatmir Hajdari është në pritje të procesin të vlerësimit nga sistemi i drejtësisë.
Por kjo nuk ka mjaftuar pasi demokratja Hajdari do të replikonte sërish në adresë të qëndrimeve të ardhura nga Presidenca. “Kur zhgënjehet Tedi, që as nuk e njoh fare, vetëkuptohet se sa shumë mërzitem. Po të kthej përgjigje meqë je Zëdhënësi i Presidentit dhe i bie që ky mesazh, aspak profesional, të jetë i Tij. Gjithsesi, e kalon apo jo mami im Vetting-un, është çështje që i takon KPK, OMN & KPA, por ama kujdes kur i shkruani ato dekretet & ç’dekretet se po ju dridhet dora”, replikoi Hajdari.
Në debat do të përfshihej edhe nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, i cili do të ironizonte qëndrimin e deputetes së PD-së. “Kjo Rudina paska shumë informacion sekret. Me siguri nga “Avokati i FBI” në Tiranë. Po pse reagoi me dy ditë vonesë për një takim publik? Plus që kur kryetari i Partisë së saj refuzoi takimin me Presidentin po kjo e shkreta çdo të bisedonte me të? Shyqyr që ia kishin shkruar pa gabime këtë reagimin,se po ta recitonte do na gajaste së qeshuri si ç’bën çdo të enjte në “ Landfilldin” më të ri të Shqipërisë. Megjithatë e uroj që nesër të shkoj ballëlartë, duarplot…. dhe me Fitorje”, shkruan Vasili.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




