Politike

Bojkoti, ‘armiku’ i së dielës i PS-së

Që prej mesnatës, sipas Kodit Zgjedhor, vendi ka hyrë në heshtje elektorale. Ky afat është vendosur nga ligjvënësi si përpjekje për t’u dhënë kohë votuesve që 24 orët para se të paraqiten në kutitë e votimit t’i shfrytëzojnë për të reflektuar dhe menduar se cila është zgjidhja më e mirë sipas tyre.

Ky është qëllimi i heshtjeve zgjedhore në vetvete, por që për zgjedhjet e kësaj të diele pak rëndësi ka. Në 31 bashki në garë janë vetëm kandidatët e Partisë Socialiste, ndërsa në të tjerat ku ka rivalë, nuk parashikohet asnjë surprizë. Pra, të dielën, dilema e votuesve se cilin kandidat, e cilën parti të votojnë më 30 qershor ka munguar që prej mbylljes së afateve ligjore për regjistrimin e kandidatëve dhe të partive në këtë garë.

Partia Demokratike dhe aleatët e saj, pasi dështuan në përpjekjet për të ndalur këtë proces zgjedhor, u përqëndruan në ditët e fundit tek thirrjet për t’i bojkotuar këto zgjedhje, duke i cilësuar si zgjedhje moniste, që godasin pluralizmin dhe që për më tepër, sipas koalicionit opozitar, por edhe Presidentit Ilir Meta, janë të pavlefshme.

Paralelisht me ftesën për bojkot, opozita organizoi edhe protesta në disa zona, ku në një pjesë të tyre nuk munguan episodet e dhunës kundër materialeve zgjedhore. Mazhoranca iu vu përballë duke “legjitimuar” procesin përmes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe rezolutës së Kuvendit, duke përforcuar sigurinë e KZAZ-ve dhe në fund duke u përqëndrua më shumë tek ftesa për të dalë në votime, sesa tek kërkesa për të votuar kandidatët e saj.

Pavarësisht përpjekjes së mazhorancës, mungesa e opozitës në vetvete këshillon se zgjedhjet e së dielës do të jenë zgjedhjet me pjesëmarrjen më të ulët të regjistruar ndonjëherë në Shqipëri që pas rënies së regjimit komunist. Këtë e sugjerojnë shifrat dhe statistikat e zgjedhjeve të kaluara të publikuara nga Komisionit Qendror i Zgjedhjeve.

Në të gjitha rastet, edhe atëherë kur proceset zgjedhore kanë qenë “normale” për realitetin shqiptar, pra me pjesëmarrjen e opozitës, dalja në votime nuk i ka kaluar 50 për qind të personave me të drejtë vote. Duke pasur parasysh ndarjen e koalicioneve aktuale dhe rezultatin e dy zgjedhjeve, parlamentare dhe vendore të fundit në vend mund të flitet për një ndarje gjysmë për gjysmë.

Në zgjedhjet për Kuvendit, ato të qershorit 2017, partitë aktuale politike opozitare kanë rreth 48 për qind të elektoratit, ndërsa Partia Socialiste, bashkë me aleatët e saj rreth 49.8 për qind. Në zgjedhjet e fundit vendore, pesha anon më shumë nga koalicioni opozitar aktual. Forcat që përbëjnë sot bllokun opozitar kanë marrë rreth 48 për qind të preferencës së elektoratit, ndërsa Partia Socialiste me aleatët e saj rreth 43 për qind.

Le të analizojmë pjesëmarrjen dhe si është ndarë vota në dy zgjedhjet e fundit. Në 2015, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rezultonin 3 milionë e 372 mijë e 471 votues. Nga këta, 1 milionë e 613 mijë e 54 vetë morën pjesë në votime, pra më pak se gjysma e votuesve.

Në ato zgjedhje, PS drejtonte koalicionin Aleanca për Shqipërinë Europiane, ndërsa PD koalicionin Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet. Aleanca e PS mori rreth 63.5 për qind të votave, ose 991 mijë e 609 vota në total. Aleanca e PD mori rreth 32.5 për qind të votave, ose 507 mijë e 285 vota. Diferenca e votave shkoi për partitë e tjera jashtë dy koalicioneve qendrore.

Por, që prej 2015 gjërat kanë ndryshuar. Nga koalicioni i Partisë Socialiste janë larguar dy aleatët me numrin më të madh të votave të mbledhura, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, që të dyja të hedhura tashmë në koalicionin e drejtuar nga PD. PS e vetme mori rreth 403 mijë vota, ndjekur brenda koalicionit ASHE në atë kohë nga LSI me 260 mijë vota dhe PDIU me 60 mijë të tjera. Duke u shtuar votave të LSI-së dhe PDIU-së votat e demokristianëve dhe të PBDNJ-së së Vangjel Dules, që në 2015 garoi jashtë dy koalicioneve të mëdha, bëhet fjalë për rreth 350 mijë vota, pesha e të cilave vendos një ekuilibër thuajse total në bazë të rezultatit të zgjedhjeve vendore të 2015.

Por, zgjedhjet vendore nuk mund të merren si një tregues i besueshëm për numrin e mbështetësve. Përvoja ka provuar se partitë e vogla marrin një rezultat më të lartë në këto zgjedhje, edhe për shkak të konjukturave vendore dhe tolerimit të dy partive kryesore në këto procese. Treguesi më i saktë i numrit të mbështetësve të një partie janë zgjedhje parlamentare, ngjyrimet e të cilave kriza politike u ka dhënë edhe zgjedhjeve të ditës së dielë.

Ndarja e votës sipas partive në zgjedhjet parlamentare të 2017

Prandaj, rezultatet e 2017 mund të merren si pikë referimi për numrin e mbështetësve të secilës parti që është faktor në arenën politike shqiptare, por mbi të gjitha për të krijuar një ide mbi pritshmëëritë për përqindjen e pjesëmarrjes.

Në 2017, sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve numri i zgjedhësve në listë ishte 3 milionë e 452 mijë e 324 persona. Në votimet e 25 qershorit morën pjesë 1 milionë e 613 mijë e 830 vetë, ose 46.75 për qind e votuesve. Këto zgjedhje ishin produkt i marrëveshjes Rama-Basha të 17 majit të atij viti dhe afatet e ngritjes së koalicioneve ishin tejkaluar me kohë. Partitë hynë të vetme në garë.

PS siguroi 763 mijë e 750 vota, ose 48.34 për qind të votave, të përkthyera në 74 mandate që i dhanë mazhorancën aktuale në Kuvend. Partia Demokratike mori 456 mijë e 413 vota, ose 28.85 për qind të votave, ndërsa LSI 225 mijë e 901 vota, ose 14.28 për qind, ndjekur nga PDIU me rreth 76 mijë vota. Nëse këto vota ndahen sipas ndarjes aktuale të kampeve politike, rezultati del sërish një ndarje thuajse e barabartë e tortës elektorale mes mazhorancës dhe opozitës.

Sot, opozita bën thirrje për bojkot. Në fakt, zgjedhjet në vetvete kanë kohë që bojkotohen nga shumica e votuesve, por thirrja e opozitës pritet të reflektohet tek mbështetësit e saj, ose gjysma e zgjedhësve që votojnë. Prandaj, socialistët në këto zgjedhje nuk janë krejt pa kundërshtarë. Kundërshtari i tyre është bojkoti dhe suksesi i mazhorancës nuk pritet të matet me numrin e bashkive të fituara, por me përqindjen e (mos)pjesëmarrjes në këtë proces.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë