Një incident ka ndodhur sot pasdite në KZAZ numër dy të qytetit të Shkodrës në Pallatin e Sportit, “Qazim Dervishi”, që është në pronësi të bashkisë.
Përfaqësuesit e PS-së në tentativë për të hyrë me forcë në ambientet e pallatit janë përplasur me policinë bashkiake dhe për pasojë kanë prishur qepenin që ishte vendosur në derën e pallatit të sportit. Pallati i Sportit është projektuar që për zgjedhjet e 30 qershorit do të jetë KZAZ-ja nr 2, por materialet zgjedhore ende nuk janë futur. Disa ditë më parë Bashkia Shkodër njoftoi nëpërmjet një deklarate zyrtare se institucionet që janë nën administrimin e Bashkisë do të jenë në shërbim të qytetarëve dhe në to do të zhvillohen aktivitete të ndryshme.
Partia Demokratike postoi një video duke akuzuar se pas tyre qëndrojnë eksponentë të Partisë Socialiste.”Përfaqësues të Partisë Socialiste në Shkodër më në krye nipin e deputetit të PS, Luan Harusha, sulmojnë me dhunë Pallatin e Sportit ne Shkoder, nen administrimin e Bashkise, duke thyer me forcë derën e këtij institucioni. Policia bashkiake e Shkodrës, e cila ka nën menaxhim këtë institucion i ka ndaluar, ndërkohë që në momentin kur arrin policia e rendit autorët largohen nga vendi I ngjarjes pa u ndaluar nga uniformat blu. Në vendngjarje janë 4 makina. Një Volkswagen Passat ngjyrë jeshile e cila ka targën Sh 3573 E, Një Peugeot e bardhë me targë Sh 1782 E, Një Merecedes Benz CLS me targë AA 007, pronari i te cilit është Ergys Harusha, nipi i deputetit të Partisë Socialiste, Luan Harusha”, thuhet në njoftimin e PD-së.
Për policinë ende është e paqartee se kush janë këta persona, ndërsa ka nisur hetimet. KZAZ 2 është zhvendosur tek shkolla e mesme “Arben Broci” dhe dyshimet janë se këto materiale që u morën me force tek Pallati i Sportit do të dërgoheshin në shkollën “Arben Broci”.
Partia Socialiste në Shkodër me anë të një deklarate për median dënoi ka dënuar aktin e dhunimit të ambienteve të KZAZ nr. 2 dhe materialeve zgjedhore për zgjedhjet e 30 qeshorit.
“Incidenti i sotëm është në vazhdën e një sërë incidentesh të provokuara nga Bashkia Shkodër kundër procesit zgjedhor me synim pengimin e qytetarëve për të ushtruar të drejtën kushtetuese të votimit”, thuhet në këtë deklaratë.
Po ashtu PS thotë se përveçse anëtarët e KZAZ nr.2 u dhunuan dhe penguan në ushtrimin e detyrës tyre, Bashkia Shkodër kundërshtoi veten me dy urdhra, ku ne të parin urdhëroi tërheqjen e materialeve zgjedhore dhe me të dytin pengoi anëtarët e KZAZ-së në tërheqjen e materialeve.
Partia Socialiste distancohet, dënon aktet e dhunës si dhe i bën thirrje autoriteteve përkatëse të hetojnë deri në fund ngjarjen dhe të vejnë para drejtësisë personat përgjegjës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



