Mbështetës të Partisë Demokratike u mblodhën në qytetin e Burrelit para ambienteve KZAZ-së ku janë vendosur materialet zgjedhore dhe me thirrjet “Rama Ik” kundërshtuan mbajtjen e procesit të votimit ditën e dielë.
Organizatorët e protestës, drejtuesit vendorë të partive opozitare bënë thirrje që votimi i së dielës të bojkotohet. Për ta, 30 qershori, në bazë të dekretit të Ilir Metës nuk është më një datë zgjedhjesh.
Përballë protestuesve qëndronin forca të pakta policie, por ndryshe nga protesta e disa ditëve më parë, kur materialet zgjedhore u dogjën në KZAZ-në e Burrelit dhe atë të Klosit incidentet munguan.
Burreli dhe Klosi drejtohen nga dy kryebashkiakë të dalë nga Partia Demokratike dhe ishin ndër zonat më të nxehta, së bashku me Shkodrën, Tropojën dhe Kukësin, kur pak ditë më parë u sulmuan KZAZ-të dhe u shkatërruan materialet zgjedhore, të cilat u zëvendësuan më pas nga KQZ.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



