Lajme

PD ‘njeh’ zgjedhjet: OSBE të pasqyrojë skemën kriminale të kërcënimit të administratës

Partia Demokratike akuzoi Kryeministrin Edi Rama se me të njëjtën skemë të zbuluar në përgjimet nga dosjet 339 dhe 184 po detyron qytetarët që të marrin pjesë në zgjedhjet e së dielës, që sipas opozitës është farsë dhe i paligjshëm.

Albana Vokshi thotë se e njëjta skemë po zbatohet në administratë dhe punonjës të sektorit publik, përfshirë këtu edhe ndaj mjekëve, infermierëve dhe personelit shëndetësor, së bashku me familjarët e tyre.

“Njësoj siç keni dëgjuar nga përgjimet e gazetës gjermane Bild, ku mësuesit kërcënoheshin “me fluturim nga puna të hënën, nëse nuk votonin Edi Ramën, edhe tani, po ndiqet e njëjta skemë. Duke përdorur kërcënimet e paligjshme ndaj personelit shëndetësor, synohet rritja artificiale e pjesëmarrjes në votimet moniste të Edi Ramës.”, deklaroi Vokshi.

https://www.facebook.com/partiademokratike/videos/450858472377581/?notif_id=1561737343376394&notif_t=live_video

PD thotë se ka marrë denoncime të vazhdueshme përgjatë tri ditëve të fundit, që sipas saj, tregojnë se skema e kërcënimit është masive ndaj të gjithë punonjësve publike, duke shkelur të drejtat e tyre dhe duke i kërcënuar me vendin e punës.

“Skema është krejtësisht e paligjshme dhe zbatohet nga persona janë anëtarë të shtabit elektoral të Edi Ramës. Ata telefonojnë personelin mjekësor, sipas listave që u janë vënë në dispozicion në mënyrë të paligjshme, duke i kërcënuar se, nëse duan ta ruajnë vendin e punës, duhet të dalin në votime të dielën. Duke zbatuar këtë skemë kriminale, njerëzit e Edi Ramës shkelin të paktën 4 nene të Kodit Penal, që ndëshkohen me disa vjet burg”, deklaroi Vokshi.

Pavarësisht se nuk e njeh 30 qershorin si datë zgjedhjes, PD është pajtur me faktin që ky proces do të vëzhgohet nga OSBE/ODIHR dhe në deklaratën e saj, Albana Vokshi thotë se opozita beson se këto denoncime të opozitës do të reflektohen në raportin vëzhgues të këtij organizmi ndërkombëtar.

“Partia Demokratike beson fuqimisht se faktet e presionit kriminal ndaj administratës do të zënë vend sërish në raportin e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR, njësoj si dy vjet më parë”, shtoi Vokshi.

PD kërkon nga të gjithë punonjësit e administratës, që sipas saj po shantazhohen dhe kërcënohen me vendin e punës që të denoncojnë rastet në fjalë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë