Lajme

Shkarkimi i Hilës, Shoqata e Bashkive: Antikushtetues dhe hakmarrje politike

Pas shkarkimit të kryebashkiakut të Vaut të Dejës, vjen një reagim edhe nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë (Kryetare është Kryebashkiakja e PD-së në Shkodër, Voltana Ademi), që e cilëson shkarkimin e tij si një akt antikushtetues dhe hakmarrje politike.
“Shoqata e Bashkive të Shqipërisë është njohur përmes mediave për aktin e rëndë antikushtetues, në shkelje dhe tejkalim të kompetencave të kryeministrit të vendit për shkarkimin e kolegut tonë, kryetarit të Bashkisë Vau- Dejës z. Zef Hila.
Pa më të voglin dyshim, jemi përballë një hakmarrje të pastër politike, ndëshkim për z. Hila dhe kryebashkiakët e tjerë që po kërkojnë të zbatohet Kushtetuta, Dekreti i Presidentit të Republikës, ligji 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”etj. Përveç shkarkimit, tashmë duke u sjellë si një prokuror, paralajmëron edhe ndjekjen penale për kolegun Hila”, thuhet në reagim.
duke cituar Kushtetutën e Shqipërisë, shoqata thotë se për kryebashkiakun Hila nuk ka indice që ka shkelur ligjin.
“Kushtetuta e Shqipërisë dhe ligji 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” e përcaktojnë qartë se kur mund të shpërndahet/ shkarkohet organi i zgjedhur drejtpërdrejtë i njësisë së qeverisjes vendore. Neni 115 e përcakton qartë, në pikën 1 të tij se: “Organi i zgjedhur drejtpërdrejt i njësisë qeverisëse vendore mund të shpërndahet ose të shkarkohet nga Këshilli i Ministrave për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve.”. Në asnjë rast, nuk ka indicie, aq më pak prova që z. Hila ka shkelur rëndë Kushtetutën apo ligjet”, thuhet më tej në reagim.
Sipas shoqatës, vendime të tilla politike vijnë në një kohë që vendi ynë po përballet edhe me mungesën e Gjykatës Kushtetuese.
“Vendimi hakmarrës politik i kryeministrit, vjen në një kohë kur mungojnë edhe garancitë kushtetuese për të ushtruar të drejtën e ankimit që organeve të zgjedhur drejtpërdrejtë të qeverisjes vendore, i njeh Kushtetuta në rast shpërndarje/ shkarkimit. Neni 115, pika 2 e tij e përcakton qartë dhe prerë se: ‘Organi i shpërndarë ose i shkarkuar mund të ankohet në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditëve, dhe në këtë rast vendimi i Këshillit të Ministrave pezullohet’”, vijon më tej reagimi.
Në reagimin e saj, Shoqata e Bashkive bën me dije se do të zbatojnë Kushtetutën dhe i bëjnë thirrje kryeministrit Edi Rama që të tërhiqet nga ky vendim antikushtetues.
“Shoqata e Bashkive të Shqipërisë është e vendosur të zbatojë me rigorozitet Kushtetutën, Dekretin e Presidentit të Republikës, ligjin 139/2015 ‘[Për vetëqeverisjen vendore’.
Shprehim indinjatën tonë për këtë sulm të paprecedent jo vetëm ndaj kolegut tonë, kryetarit të Bashkisë Vau Dejës z. Zef Hila por edhe ndaj zgjedhurve vendorë legjitimë dhe të votuar drejtpërdrejtë nga qytetarët.
I bëjmë thirrje kryeministrit, të tërhiqet nga ky vendim antikushtetues dhe i pabazuar në Kushtetutë e në ligje, duke e siguruar se do të vazhdojmë të zbatojmë si deri më tani Kushtetutën, Dekretin e Presidentit të Republikës, ligjin 139/2015 ‘Për vetëqeverisjen vendore’”, përfundon reagimi i Shoqatës së Bashkive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë