Politike

PD: Djegia jo nga militantët tanë. Rama: Do të ndëshkoheni

Partia Demokratike hodhi poshtëse sulmi dhe djegia e materialeve zgjedhore është kryer nga militantët e PD dhe akuzoi se kjo është vepër e skenar i qeverisë për të fajësuar demokratët. Reagimi u bë menjëherë nga sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Gazment Bardhi.

“Asnjë militant i Partisë Demokratike nuk ka djegur asnjë KZAZ në Bushat. Dënojmë me forcë deklaratën kriminale dhe shpifjen e Ministrit të Brendshëm, si pjesë e një skenari të parapërgatitur nga Qeveria, për të inkriminuar opozitën. U bëjmë thirrje mbështetësve tanë të mos bien pre të këtij skenari dhune”, reagoi Bardhi. Ai theksoi se Partia Demokratike është në dijeni të planit kriminal që është hartuar me gjakftohtësi nga Edi Rama, dhe që ka disa ditë që po tentohet të vihet në jetë. “E siguroj në emër të Partisë Demokratike se do të dështojë, pavarësisht retorikës konfliktuale të vazhdueshme apo përhapjes së panikut tek qytetarët dhe bizneset private”, theksoi Bardhi.

Kryeministri Edi Rama reagoi ndaj djegies së materialeve zgjedhore në Vaun e Dejës.

“Sulmi mbi KZAZ e Vaut të Dejës është shfaqja e egër e dëshpërimit të L.Bashës, M.Kryemadhit, I.Metës dhe S.Berishës, nga fundi i sigurtë me turp ditën e dielë i aventurës së tyre antikombëtare, për të marrë peng zgjedhjet që të marrin peng Shqipërinë #Ndëshkimi do jetë shembullor”, shkruan Rama në Twiiter.

Më tej shefi i qeverisë shkruan se “as kjo shfaqje turpi dhe asnjë shfaqje tjetër e këtij lloji, nuk e ndal dot më gremisjen e të katër aventurierëve në gropën që hapën për këtë popull e për këtë vend! Kush prek zgjedhjet për llogari të tyre do përballet me të gjithë forcën e ligjit dhe pasojat e paralajmëruara”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë