Pas debatit për tërheqjen e vëzhguesve që ishin regjistruar prej ditësh zyrtarisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Këshilli i Europës ka reaguar sot sërish për situatën e zgjedhjeve lokale në Shqipëri. Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës, duke theksuar se në po e ndjekin nga afër situatën.
“Ne po e ndjekim me vëmendje situatën para zgjedhjeve të 30 qershorit në Shqipëri, të cilat duhet të zhvillohen në përputhje me të gjitha detyrimet dhe standardet ndërkombëtare për zgjedhje dhe po ashtu në përputhje me legjislacionin kombëtar. Në këtë kontest, ne duam të rikujtojmë se Këshilli i Evropës ka një marrëdhënie të gjatë dhe mjaft të konsoliduar me OSBE/ODIHR-in, i cili ka dërguar një mision për mbikëqyrjen e zgjedhjeve në Shqipëri”, thuhet në deklaratën e lëshuar në emër të zëdhënësit të Thorbjørn Jagland.

Një ditë më parë u bë e ditur se Këshilli i Europës kishte tërhequr vëzhguesit për zgjedhjet e 30 qershorit për shkak të pasigurisë që shfaqur. Deklarata është bërë në faqen zyrtare të KiE nga Anders Knape, zëvendës President i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale në Këshillin e Europës (CLRAE).
“Në dritën e zhvillimeve të fundit dhe pasigurisë në Shqipëri, në lidhje me pjesëmarrjen e plotë të spektrit politik të kandidatëve dhe partive në zgjedhjet lokale më 30 qershor 2019, Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale ka vendosur të mos vendosë misionin e saj të vëzhguesve zgjedhorë. Duke pasur parasysh faktin se në 31 nga 61 ka vetëm një kandidat nga mazhoranca, është e vështirë të pritet një konkurrencë e rëndësishme politike dhe kjo nënkupton rrezikun logjistik për Këshillin se nuk është në gjendje të vendosë një mision të plotë përgjatë gjithë vendi, i cili është një procedurë standarde gjatë Misioneve të Zgjedhjeve”, thuhej në deklaratën e Knape.
Më tej theksohej se “Misionet e Këshillit bazohen në vëzhgimin e zgjedhjeve lokale dhe rajonale me pjesëmarrje të gjerë të forcave të ndryshme politike të një vendi, dhe kështu nuk ka vërejtur asnjë zgjedhje pa pjesëmarrje kuptimplotë të opozitës. Vendimi i Këshillit është marrë në konsideratë të të gjithë informacioneve të disponueshme, si dhe në lidhje me situatën politike dhe logjistike. Këshilli nuk bën asnjë deklaratë lidhur me ligjshmërinë e këtyre zgjedhjeve dhe kjo nuk ka të bëjë fare me pyetjen nëse dhe kur do të mbahen zgjedhjet lokale. Ky është vendimi autonom i Shqipërisë “.
Por kjo deklaratë u hoq nga faqja zyrtare, ndërsa kryedemokrati Lulzim Basha e cilësoi këtë si një vendim politik që anuloi zgjedhjet e 30 qershorit. Ndërsa nga mazhoranca erdhën reagimet se qëndrimi i KiE u manipulua nga të djathtët dhe se ky organizëm do të vëzhgonte zgjedhjet e 30 qershorit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




