Lajme

Rama: Presidenca seli e opozitës. Meta njofton konferencë në 14:30

Pas takimeve të njëpasnjëshme që presidenti Meta zhvilloi në Presidencë dhe ndërkohë që i kishte vënë afat kryeministrit Edi Rama deri në orën 13:00, vjen edhe reagimi i këtij të fundit.
Kreu i qeverisë, Edi Rama, në një reagim në “Twitter” shprehet se tashmë selia e opozitës rrugore është bërë Presidenca e Republikës dhe udhëheqësi i katër galaktikëve, ku i referohet kreut të shtetit, Ilir Meta.
Gjithë ç’po ndodh në ditët e fundit para 30 qershorit, kryeministri e cilëson si një karnavale politike.
“Zyrtare sot: Selia e opozitës rrugore është Presidenca e Republikës dhe udhëheqësi i katër galaktikëve të shtabit të revolucionit imagjinar për të mbrojtur me dhunë republikën e votën e popullit nga vetë populli, është vetë ai, Salvator Haxhi Qametaj. Çfarë karnavalesh politike”, shkruan Rama në “Twitter”.

Rama thotë se 30 qershori do jetë dita ku do të japë një mesazh kumbues, pasi sipas tij Shqipëria s’mund të bëhet përshesh.
“Qeshni me ta dhe me qetësi e dashuri t’u japim një mesazh kumbues të dielën,duke votuar ose mosvotuar, por duke qenë të gjithë bashkë në një mendje se Shqipëria s’mund të jetë kurrë, një shesh për përsheshin e gatuar tërë këta muaj, të cilin duhet ta hanë ata që na e servirën”, shprehet Rama.
Ndërkohë, nga ana tjetër presidenti Meta ka paralajmëruar konferencë për shtyp në orën 14:30 dhe me shumë gjasa mund të shpallë një datë të re zgjedhjesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë