Lajme

Përplasjet për KZAZ në Burrel, ndalohet një shtetas

Pas përplasjeve në KZAZ-të nr. 16 dhe 17 në Burrel, policia ka ndaluar një tjetër shtetas të shpallur në kërkim.
Më 19 qershor, mbështetës të PD tentuan të futen në KZAZ për të marrë materialet zgjedhore, ndërkohë Policia e Rendit në mbrojtje të KZAZ-së hodhi gaz lotsjellës për t’i shpërndarë. Përplasja ka qenë fizike, ku u përdorën edhe shkopinj dhe sende të tjera të forta.
Policia bën me dije se është arrestuar shtetasi me inicialet A. L, 43 vjeç, banues në Burrel.
Mbi të rëndojnë veprat penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Pavarësisht përplasjes me policinë, militantët e PD-së në Burrel arritën të nxjerrin materialet zgjedhore dhe i dogjën, duke zbatuar në këtë mënyrë dekretin e presidentit Meta.
Në përfundim të hetimeve nga ana e Policisë, materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat, ku me vendim të prokurorit, shtetasi A. L, do të hetohet në gjendje të lirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë