Kur politika shqiptare është përfshirë në debatin e tërheqjes së vëzhguesve të Këshillit të Europës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi sot listën e vëzhguesve të ambasadave të akredituara në vendin tonë. Një procedurë që ndiqet sa herë që ka zgjedhje në Shqipëri, selitë e ambasadave në Tiranë kanë paraqitur kërkesën zyrtare pranë KQZ-së për të monitoruar procesin zgjedhor të 30 qershorit.
Ambasada Amerikane në Tiranë, ajo italiane dhe britanike, i kanë dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve një kërkesë për akreditimin e stafit të tyre vëzhgues për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Duke përgëzuar punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mbarëvajtjen deri më tani të këtij procesi të rëndësishëm zgjedhor, selitë diplomatike në vendin tonë, kanë dërguar edhe listat me emrat e personave vëzhgues.
Kërkesa e selive diplomatike të SHBA dhe të Britanisë së Madhe mbajnë datën 25 dhe 26 qershor.

Rreth 1800 vëzhgues janë regjistruar deri më tani në KQZ për të monitoruar zgjedhjet e 30 qershorit. Pjesa më e madhe janë nga shoqata jo qeveritare vendase dhe të të tjerët i përkasin organizmave të huaja. Më herët KQZ-ja ka regjistruar vëzhguesit e OSBE/ODIHR, ku më 19 qershor ka regjistruar 250 vëzhguesit afatshkurtër.
Ndërsa mësohet se zonat e nxehta, në ato bashki që janë drejtuar deri më tani nga opozita pritet të jetë objekti i monitorimit të ambasadave të huaja. Kështu monitorim pritet të kryhet në Tropojë, Kukës, Shkodër, si dhe në zonat e tjera. Sipas kërkesës dhe listës së paraqitur ambasada e SHBA-së do të mbulojë të gjithë territorin në ditën e zgjedhjeve. Edhe e ngarkuara me punë Leyla Moses-Ones pritet të vëzhgojë procesin e zgjedhje, ashtu si dhe ambasadori britanik Duncan Norman.

Opozita ka deklaruar se nuk ka zgjedhje më 30 qershor, madje ato kanë organizuar bashkitë që drejtohen nga njerëzit e tyre për t’i kërkuar KQZ-së që të lirohen ambientet e KZAZ-ve, QV-ve dhe të grupeve të Numërimit të Votave. Gjithashtu PD-ja ka organizuar Aleancën Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë ku në të 61 bashkitë e vendit është sugjeruar mbajtje e protestave.
Ndërkaq ditët e fundit ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, zv/ambasadorja e SHBA-së, Leyla Moses-Ones, si dhe shefja e misionit të OSBE/ODIHR-it, Audrey Glover patën një takim me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha.
Caktimi i vëzhguesve ndërkombëtare legjitimon ndërkohë edhe procesin e 30 qershorit, pavarësisht se opozita shprehet se nuk ka zgjedhje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




