Lajme

Krimi elektoral, Arta Marku: Prokurorët në gatishmëri gjatë zgjedhjeve

Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku ka firmosur sot urdhrin për prokurorët, për masat administrative dhe proceduriale për periudhën para dhe pas zgjedhjeve.
Në udhëzimin e firmosur nga kryeprokurorja Marku thuhet se do të hetohen dhe ndiqen penalisht me përparësi dhe efikasitet të gjithë ata persona që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve, si dhe kryejnë vepra penale që dëmtojnë procesin zgjedhor.
Në udhëzim ndër të tjera saktësohet se gjatë periudhës së zgjedhjeve, prokurorët do të jenë në gatishmëri nga ora 07:00 deri në 22:00 dhe do të kenë komunikim të vazhdueshëm me sallën operative të policisë.
Sipas udhëzimit, pas orës 22:00 personeli i gatishmërisë do të komunikojë me sallën operative të policisë.
Udhëzimi nga Prokuroria e Përgjithshme vjen pak ditë pas ndryshimeve në Kodin Penal të miratuara nga mazhoranca, që parashikonin ndëshkime të rënda deri në bllokim të lëvizjes jashtë shtetit për ata persona që kryejnë krime elektorale.

Bardhi: Arta Marku po pengon dosjet “184” e “339”

Pas udhëzimit të firmosur nga kryeprokurorja Arta Marku vjen edhe një reagim nga ana e Partisë Demokratike.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, nëpërmjet një postimi në “Facebook”, i ka bërë thirrje kryeprokurores Arta Marku të dërgojë para drejtësisë hajdutët e zgjedhjeve, që ndodhen në dosjet “184” dhe “339”.
Bardhi shkruan se përfaqësuesja e Ramës në Prokurori i ka në tavolinë dy dosjet, por po pengon hetimin.
“Përfaqësuesja e Edi Ramës në Prokurorinë e Përgjithshme Arta Marku i ka mbi tavolinë dy dosje të krimeve mostruoze zgjedhore, nr. 184/2016 dhe nr. 339/2017. Po humb kohën kot me udhëzime e shkresa pa vlerë! Boll pengove hetimin dhe dërgimin para drejtësisë të hajdutëve të zgjedhjeve, të kapur me përgjime të ligjshme të prokurorisë për Krime të Rënda”, shkruan Bardhi në “Facebook”.
Bardhi deklaron edhe njëherë se pa u ndëshkuar hajdutët e zgjedhjeve, nuk mund të zhvillohen zgjedhje të tjera.
“Krime zgjedhore të rënda janë blerja e votave, kanosja e votuesve, presioni mbi administratën apo përdorimi i administratës për zgjedhje. Këto krime duhen ndëshkuar, pavarësisht nëse janë kryer nga Ulsiu, Damiani apo Vangjushi. Pa u ndëshkuar hajdutët e zgjedhjeve, nuk mund të ketë zgjedhje të tjera në Shqipëri. Boll më me lojëra dhe propagandë. Kohë për drejtësi është tani!”, përfundoi Bardhi.

https://www.facebook.com/gazment.bardhi/posts/10219323649111678

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë