Në një kohë që presidenti ka anuluar zgjedhjet e 30 qershorit dhe Kolegji Zgjedhor e rrëzoi këtë dekret, kryetari i Bashkisë së Skraparit i është drejtuar me një letër KQZ-së, duke u shprehur se do marrin nën administrim ambientet ku janë vendosur KZAZ-të pa asnjë tolerim.
“Ju bëjmë me dije se ne jemi të vendosur qё të marrim nën administrim ambientet ku janë vendosur KZAZ dhe GNV, pa asnjë tolerim, pavarësisht pengesave të paligjshme që na janë krijuar nga Policia e Shtetit dhe gjejmë rastin t’ju kujtojmë se me qëndrimet tuaja të paligjshme, jeni duke cenuar rëndë autonominë vendore dhe kompetencat kushtetuese të njësive të qeverisjes vendore”, thuhet në letrën drejtuar KQZ.
Kryebashkiaku Nesim Spahiu thotë se dekreti i presidentit Meta është botuar në Fletoren Zyrtare, dhe kjo e bën të detyrueshëm për t’u zbatuar. Po ashtu ai thekson se data e zgjedhjeve vendoset nga presidenti dhe jo nga partitë politike apo KQZ.
“Nuk ekziston asnjë akt që të ketë njoftuar shfuqizimin e Dekretit nr. 11199, datë 10.06.2019 të Presidentit të Republikës. Nëse ju dispononi një akt të tillë, ju lutem na e bëni me dije. Deri atëherë, Dekreti i Presidentit është i detyrueshëm për zbatim, sepse ai është autoriteti i vetëm kushtetues që vendos kur zhvillohen votime në Shqipëri. Datën e zgjedhjeve vendore nuk e cakton as Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), as njësia e qeverisjes vendore, as Kryeministri, as Policia e Shtetit dhe as partitë politike. Ajo është kompetencë ekskluzive kushtetuese e Presidentit të Republikës, si autoriteti që përfaqëson unitetin e popullit”, shkruan kryebashkiaku.
Ai theksoi se KQZ po merr tagrat e Gjykatës Kushtetuese dhe po vepron sipas urdhrave politikë.
“Fakti që KQZ ka vendosur të marrë tagrat e Gjykatës Kushtetuese, apo sistemit gjyqësor, dhe në shkelje të Kushtetutës e ligjit, të veprojë sipas urdhrave politik, nuk nënkupton që edhe njësitë e qeverisjes vendore të ndjekin KQZ-në në këtë absurd kushtetues, ligjor e logjik, që po cenon sigurinë në vend dhe stabilitetin demokratik të Shqipërisë”, shkruan më tej ai.
Gjithashtu, në letër kryebashkiaku i Skraparit bën me dije se në ato ambiente nuk do të lejohet të futet paraprakisht asnjë person pa autorizim të pronarit apo organit administrues të ambientit, që është njësia e qeverisjes vendore.



Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




