Është Uruguai ekipi i fundit që preu zyrtarisht biletën për në fazën tjetër të Kupës së Amerikës. Skuadra e Oskar Tabarez ia doli që të marrë një fitore të ngushtë 0-1 me Kilin në ndeshjen e fundit të grupeve që i dha mundësinë të avanconte në raundin tjetër si kryesuese e grupit C. Në ndeshjen me Kilin ai që vendosi ishte “ylli” i PSG, Edison Kavani me golin e tij në minutën e 83’.
Ndeshja filloi më mirë për Kilin e Aleksis Sançez që ishte më i rrezikshëm në minutat e para. Ishin disa rastet për gol për kilienët, por Uruguai me Diego Godin në mbrojtje ditën të reagojnë mirë dhe ta mbajë portën të paprekur në 45 minutat e para.
Në pjesën e dytë situata do të ndryshonte në favor të Uruguajit. Ritimi i skuadrës së Suarez dhe Kavanit ishte ndjeshëm më lartë dhe i shkuan disa herë portës. Por duhej pritur minuta e 83’ për të parë rrjetën të tundej për herë të parë. Kavani me një super gol ndezi festën te Uruguai që mori kështu një fitore shumë të rëndësishme për moralin e këtij kompeticioni.
Sfida tjetër e këtij grupi, ajo mes Ekuadorit dhe Japonisë përfundoi në barazim 1-1. Japonezët kaluan të parët në avantazh me anë të Nakajimës, ndërkohë që për ekuadorianët barazoi Mena Delgado.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




