Politike

Bashkitë e opozitës nisin revokimin, kallëzime penal dhe kërkesa për largim QV-ve

Bashkia Kukës padit anëtarët e KZAZ Kukës për shpërdorim detyre. Kjo është lëvizja më e fundit e ndërmarrë nga organet e pushtetit vendor që drejtohet nga ana e opozitës, si pjesë e strategjisë së PD-së dhe LSI-së për t’iu kundërvënë procesit të 30 qershorit, me argumentimin se në fuqi ka një dekret të presidentit Meta që ka zhdekretuar zgjedhjet lokale.
Në ankesën e tyre bëhet e ditur se anëtarët e kësaj KZAZ-je vazhdojnë të mbajnë të bllokuara, në mënyrë të paligjshme, mjediset në Shkollën e Mesme “Havzi Nela”, pasuri e kësaj bashkie, Kryebashkiaku Bashkim Shehu, nëpërmjet këtij kallëzimi shprehet se ata po konsumojnë veprën penale të Shpërdorimit të Detyrës. Argumenti i Shehut është se “pavarësisht se anëtarët e KZAZ-së kanë marrë dijeni për shkak të detyrës, për anulimin e datës së zgjedhjeve vendore, ata vijojnë të mbajnë të bllokuar një objekt në pronësi të Bashkisë Kukës”.
Në padinë dorëzuar Prokurorisë së Shkallës së Parë Kukës, arsyetohet se anëtarët e KZAZ-së Kukës kanë konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, pasi kanë penguar Bashkinë Kukës në ushtrimin e detyrës së saj, duke refuzuar kthimin e objekteve të zëna, si dhe në rolin e funksionarëve publikë, kanë refuzuar të zbatojnë Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. Pas daljes së dekretit të presidentit për anulimin e datës së zgjedhjeve, anëtarët e KZAZ-së Kukës i lëvizën materialet zgjedhore nga mjediset e Qendrës Kulturore “Hasan Prishtina”, por vazhdojnë të mbajnë të bllokuar palestrën sportive të shkollës së mesme “Havzi Nela”, në kundërshtim me ligjin. Bashkia Kukës, duke vlerësuar se çdo veprim i ndërmarrë në kundërshtim me Dekretin e Presidentit gjykohet si shkelje e legjislacionit penal dhe kërkon procedimin penal të anëtarëve të KZAZ-së Kukës, për shpërdorim detyre, sipas nenit 248 të Kodit Penal”, thuhet në këtë padi të ngritur.

Faksimile e Padisë së bashkisë Kukës


Më tej theksohet se “në nenin 248 të Kodit Penal ndër të tjera thuhet se Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike dënohet me burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milionë lekë”.
Bashkitë që kanë kryetar bashkie përfaqësues të opozitës kanë nisur procesin e kontestimit e procesit zgjedhor, duke kërkuar lirimin e ambienteve ku janë ngritur qendrave e votimit, apo KZAZ-të. Letra është nisur me qëllim revokimin e vendimit për caktimin e qendrave të votimit. Sipas tyre nuk do të lejohet futja e materialeve zgjedhore në qendrat e votimit dhe se këto të fundit do të ruhen nga punonjës të bashkisë. Ky vendim mësohet se është marrë në zbatim të dekretit të Presidentit. Bashkia e Devollit është e vendosur për të marrë në administrim Komisionin Qendror të Zgjedhjeve së bashku me qendrat e votimit. Përballë kësaj situate KQZ-ja është mundur që të lëvizë Qendrat e Votimit apo KZAZ, duke i zhvendosur në ambiente shtetërore që janë në varësi të ministrive. Kështu një pjesë e mirë e Qendrave të Votimit janë zhvendosur në Qendrat Shëndetësore, duke i hequr nga shkollat 9-vjeçare që administrohen nga njësitë e qeverisjes vendore.
Partia Demokratike ka vendosur që nga kjo e hënë të realizohet edhe revokimi i listave të zgjedhësve, si pjesë e aksionit opozitar kundër zgjedhjeve të 30 qershorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë