Lajme

Kolegji rrëzon Metën, nuk pranohet kërkesa për çregjistrim nga 30 qershori

Gjatë mbledhjes së sotme, Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar padinë e kryetarit të partisë Uniteti Kombëtar, pra në këtë mënyrë është rrëzuar dekreti i presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Ky vendim i hap rrugë mbajtjes së zgjedhjeve më 30 qershor.
Në seancë është i pranishëm edhe Idajet Beqiri, kryetari i PUK, i cili ka dhënë edhe arsyet e padisë së tij. Ai ka theksuar se është kapur në befasi nga vendimi i presidentit për të shfuqizuar 30 qershorin, pasi ishte i bindur se zgjedhjet do zhvilloheshin.
Beqiri theksoi se i është drejtuar me padi Kolegjit, pasi KQZ refuzoi ta ç’regjistronte. “Kolegji Zgjedhor duhet ta zgjidhë këtë ngërç, KQZ nuk na çregjistroi, si shkak sjellim edhe botimin në Fletoren Zyrtare (të dekretit të presidentit). Ndaj kërkoj që këtë ngërç ta zgjidhni ju”, tha ndër të tjera kreu i PUK.
Trupa e gjyqtarëve e përbërë nga Ridvan Hado, Tomor Shkreli, Artur Malaj, Lindita Sinanaj dhe Astrit Kalaja u vu në lëvizje pas kërkesës nga Partia Uniteti Kombëtar, e cila kërkoi çregjistrimin nga zgjedhjet vendore, me argumentin se Presidenti i Republikës ka ndërmarrë një dekret që anulonte 30 qershorin.
KQZ e rrëzoi kërkesën e Partisë së Unitetit Kombëtar për t’u çregjistruar nga zgjedhjet, me pretendimin se kjo kishte pasoja dhe për subjekte të tjera zgjedhore.
Ishte nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, ai që insistoi që partia e Idajet Beqirit nuk mund të hiqte dorë nga zgjedhjet, pasi tashmë ishte regjistruar në fletën e votimit dhe do të sillte kosto shumë të larta. Denar Biba zbuloi se procesi i printimit të fletëve të votimit kishte përfunduar.
Ndërkohë, Partia Demokratike në një deklaratë për mediat tha se nuk është në tagrin e Kolegjit Zgjedhor për të vlerësuar kushtetutshmërinë e dekretit të Ilir Metës që anulon 30 qershorin si datë zgjedhjesh dhe akuzoi kryeministrin Edi Rama se gjatë një deklarate të fundit e paracaktoi vendimin e këtij Kolegji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë