Komisioni i Ligjeve po diskuton mbi kërkesën e 55 deputetëve për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, i cili vendosi të shfuqizojë 30 qershorin, ndërsa mazhoranca e konsideroi këtë një shkelje të rëndë të Kushtetutës. Deputeti i PS Bashkim Fino theksoi se vendimi i Metës përbën shkelje shumë të rëndë të Kushtetutës.
“Presidenti ka marrë një copë letër, ka shkruar çfarë ka dashur dhe i ka vendosur emrin dekret”, tha ai, ndërsa mazhoranca theksoi Fino, po e merr me dhimbje këtë masë, por është shkelja e Kushtetutës që ka sjellë reagimin.
Ndërkohë, deputeti tjetër socialist, Spartak Braho theksoi se Komisioni i Ligjeve nuk merr vendim për shkarkimin e Metës, por për ngritjen e Komisionit Hetimor që do të përcaktojë nëse presidenti është ose jo në shkelje të rëndë Kushtetuese.
Deputeti i Grupit Parlamentar të Pavarur, Ralf Gjoni tha se kërkesa për shkarkimin e Metës është e nxitur dhe më shumë po përdoret për të bërë zhurmë mediatike.
“Mua më duket se kjo procedurë shkarkimi është një lojë politike që ju po bëni dhe është e pabazuar në Kushtetutë. Është një lojë që po hapet për të bërë zhurmë mediatike”, tha Gjoni.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



