Kryeministri Edi Rama vazhdon me kalendarin e takimeve në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit, ndërkohë që strukturat vendore të partive opozitare janë vënë në lëvizje për të zbatuar vendimin e marrë në përfundim të protestës së 21 qershorit nga ana e Partisë Demokratike.
Vendimi ishte protesta në çdo qytet e zonë ku shkel Edi Rama. Zbatimi i këtij vendimi nisi në Sarandë ditën e shtunë. Grupe të PD, LSI-së dhe PDIU-së u përpoqën që të pengojnë takimet elektorale të Ramës në këtë zonë. Përballë vendosmërisë së Kryeministrit për të vijuar fushatën dhe protestuesve për ta penguar atë nuk munguan përplasjet me policinë e shtetit.
E njëjta skenë u përsërit edhe paraditen e kësaj të diele, ku Kryeministri Edi Rama u ndal në Përmet. Këtu, autokolona e kreut të mazhorancës u prit nga një grup protestuesish opozitarë me pankarta “Rama ik” dhe “S’ka zgjedhje pa opozitën”.
Mes protestuesve ndodhej edhe ish-deputeti demokrat, Tritan Shehu, i vetmi deputet i dalë nga lista e PD-së për Qarkun e Gjirokastrës.
Incidentet munguan dhe Kryeministri vazhdoi më takimin elektoral në këtë qytet. Në fjalën drejtuar mbështetësve të tij, Rama vlerësoi kryebashkiakun në largim të Përmetit, i dalë nga Partia Demokratike, por tha se me kandidaturën socialiste do të bëhej shumë më shumë.
“Këtu në Përmet kemi pasur vullnetin për të mbështetur çdo projekt të kryetarit të bashkisë dhe është në rastet e pakta që kemi gjetur gjuhën e bashkëpunimit dhe ia kemi dalë që vizionin tonë ta jetësojmë të pa bllokuar. Por me Almën do të bëjmë shumë më tepër”, tha ai.
Opozitën, Kryeministri e quajti “rrugëhumbur” dhe çetë që shfaqet cepave të rrugëve.
“Ata që sot duhet të ishin para jush, kanë ikur nga gara dhe kanë ndërmarrë ofensivën më të turpshme kundër zgjedhjeve, kundër jush dhe kundër popullit. Janë kthyer në çeta me 50 veta që shfaqen cepave të rrugëve”, u shpreh ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



