Politike

Rama, i prerë: 30 qershori nuk preket, gjithçka tjetër negociohet

Kryeministri Edi Rama në një intervistë për Radio Europia e Lirë shprehet i prerë se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor, pasi sipas tij demokracia nuk negociohet. “Zgjedhjet do të mbahen në të gjithë Shqipërinë dhe ata që përpiqem ta pengojnë janë gabim. Luajnë me zjarrin sepse djegin veten në raport me ligjin. Ligjet janë të qarta, zgjedhjet kanë një administrate zgjedhore, një gjykatë zgjedhore dhe bazuar edhe në opinionin e kahershëm të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, çdo problem i kujtdo me zgjedhjet adresohet në Gjykatën Speciale Zgjedhore dhe askund tjetër. Kështu që janë përpjekje te dëshpëruara, të cilat nuk kanë asnjë shans që të përmbysin bazën e rregullave të bashkëjetesës demokratike. Nuk është problemi që unë insistoj që unë të shkoj në zgjedhje, unë insistoj që të respektohet Kushtetuta dhe e drejta e popullit për të zgjedhur”, deklaroi Rama.
Kryeministri iu ktheu përgjigje edhe 27 kryetarëve të bashkisë të cilët kanë deklaruar se do ta bllokojnë procesin e 30 qershorit, duke theksuar se zgjedhjet do të mbahen në të gjithë territorin.
Duke vlerësuar si të gabuar zhdekretimin e presidentit Meta e duke e cilësuar si të pavlefshëm dhe për këtë mazhoranca ka nisur procedurën për shkarkimin e tij në Parlament.
Shefi i qeverisë ndërkohë është shprehur i gatshëm për bisedime me opozitën, duke vendosur edhe kushtet e tij. “Unë kam insistuar për dialog gjithmonë kanë bërë të gjitha përpjekjet, e vetmja që nuk negociohet është demokracia dhe afatet kur populli duhet të marrë fjalën. Këto janë të penegociueshme gjithçka tjetër është lehtësisht e negociueshme”, theksoi kryeministri.
Për këtë intervistë ka reaguar edhe zëdhënësi i presidentit, Tedi Blushi, i cili theksoi se “Shumë dakord me kryeministrin. Zgjedhjet nuk janë të politikanëve, por të popullit. Demokracia dhe pluralizmi politik janë të panegociueshme”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë