Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku, nga foltorja e Kuvendit foli edhe për dy dosjet e bujshme “339” dhe “184” për blerjen e votave në Durrës dhe Dibër. E pyetur nga deputetët,
kryeprokurorja deklaroi në Kuvend se iu ka kërkuar prokurorëve të dosjeve të nxjerrin sa më shpejt konkluzionet dhe të dërgojnë çështjet në gjykatë.
“Dosjet 339 dhe 184 kanë hyrë në historinë e drejtësisë dhe politikës shqiptare. Janë regjistruar më 2016 të dyja, të vetmet veprime deri në fund të 2018 ishin përgjimet, ka pas vetë transkripte. Në fund të 2017-s u përcaktuan prokurorë të tjerë, për 339 dhe një oficeri policisë gjyqësore. Kjo dosje kur u mor nga prokurorët e tjerë u transkriptuan të gjitha CD, janë dërguar për gjykim shumë persona. Këto çështje duhen zgjidhur, ka ardhur momenti.
Prokurorët tani duhet të dalin në konkluzione. Ju kam kërkuar në çdo takim, që t’iu japin zgjidhje këtyre çështjeve. Për nxjerrjen e sekretit po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda”, u shpreh kryeprokurorja Marku.
Marku po ashtu deklaroi se nxjerrja e sekretit përbën një vepër penale, që nuk mund të anashkalohet.
“Nisja e çështjes nuk është bërë pse dolën sekretet, por se nxjerrja e sekretit nga prokurorët përbën vepër penale dhe nuk mund të anashkalohet. Prokurorët duhet të dalin në konkluzione dhe t’i drejtohen gjykatës”, ka thënë ndër tjera Marku.
Lidhur me 10 përgjimet e reja të publikuara dje nga gazeta prestigjioze “Bild” për dosjen “184”, Marku tha se nuk janë indicie, por një mjet për kërkimin e provave.
“Përgjimet nuk janë indicie, por një mjet për kërkimin e provës… unë jam për të raportuar mbi punën e Prokurorisë”, u shpreh ajo.
Kryeprokurorja Arta Marku ishte sot në seancën plenare për të prezantuar raportin e organit të Akuzës për vitin 2018.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




