Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku e thirrur në interpelancë nga deputeti i Ballit Kombëtar Artur Roshi për koncesionet ka deklaruar për rrugën Tiranë-Durrës se trau në këtë segment rrugor nuk do të vendoset në shtator, por njëkohësisht rruga alternative mund të mos bëhet.
Ajo sqaroi se projekti në fjalë është në studim e sipër dhe ende nuk është marrë një vendim për të.
“Rruga alternative do të përfundojë nëse ky projekt do të tregojë që ka fizibilitet për tu bërë, ka mundësi të mos bëhet. Është në fazë studimi. Trau nuk do të vendoset kur të bëhet rruga alternative, por do të vendoset kur të përfundojë projekti. Të gjithë, në të gjithë botën paguajnë kur kalojnë në rrugë”- iu përgjigj ministrja Balluku deputetit Roshi, i cili kërkoi që rrugët të ndërtoheshin paralelisht dhe trau të vendosej në momentin që do të përfundonte projekti koncesionar për Tiranë-Durrës.
Sipas ministres, të gjitha rrugët në Shqipëri të cilat janë parashikuar për t’u futur në kategorinë me pagesë, duhet më parë që të sigurohet një rrugë alternative.
“Ne jemi gjithmonë të gatshëm që të përgjigjemi për çdo interpelancë. Programi kombëtar për infrastrukturën është një program ambicioz, që synon për të përmirësuar standardet. Segmente e reja janë të kushtueshme. Koncesionet janë investime që paguhen nga privati dhe që shlyhen në kohë më të gjatë nga shteti. Prioritet, vlerësojmë edhe mirëmbajtjen e segmenteve rrugore. Si mund të fillojë pagesa në shtator. Nuk bëhet fjalë për të vendosur as një tra as në shtator , as në tetor dhe as në dhjetor. Deri në shtator do ta vlerësojmë nëse ky ka vizibilitet”- sqaroi Balluku duke shtuar më tej se “Ky projekt duhet vlerësuar në kuadër shumë më të gjerë. Ky projekt ndodhet në fazë studimi. Problemi që këtu kemi është se ju e keni bërë fakt të kryer. Pritshmëria jonë është që të kemi debate. Ky studim është në duar të ekspertëve dhe kur unë të kem këtë dosje dhe do t’u përgjigjem pyetje kur dhe si dhe a duhet të jetë e përshkallëzuar për secilën dalje. Ky projekt nuk është në fazën për të kaluar në këto detaje.”
Sipas saj, të gjitha rrugët që në të ardhmen do të kenë tra, ka kuptim të aplikohet pagesa sepse ka të bëjë me mirëmbajtjen.
“Të gjitha ato projekte që do të kenë tra do të kenë edhe një rrugë alternative. Nëse do të bëhet ky projekt, duhet të këtë një rrugë alternative dhe kjo është rruga Tiranë-Plepa”-tha ministrja.
Kurse deputeti Roshi në replikë të ministres Balluku vërejti se qeveria ndjek taktikën e zgjedhjes së koncesionarëve me kapitale të dobta, të pamaturuar për tregun dhe veten e tyre.
“Po humbin logjikën e investimit, po investojmë në HEC-e dhe nuk ulet çmimi i energjisë. Po investojmë kudo me PPP pa qenë fitimprurëse për shqiptarët, përkundrazi po iu rëndojnë atyre në xhepa”- tha Roshi duke i kërkuar ministres të shpjegojë nëse ka përpara dhënies së veprës për tu ndërtuar nga koncesionari a ka projekt zbatimi? Gjithashtu deputeti Roshi kërkoi llogari pse rrugët nuk kanë garanci.
“Mbas vitit të parë nis mirëmbajtja. Aq është garancia. Shpenzimet e paparashikuara ndodhin, ne bëjmë studime, por në çdo vepër ka një marzh të paparashikuar”- u përgjigj Balluku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




