Politike

Drejt përplasjes civile! Tym e flakë në bashkitë që drejton PD-LSI

Urimin e zakonshëm të mirëmëngjesit për ndjekësit e tij në Facebook, Kryeministri Edi Rama e shoqëroi me një video përmbledhëse, ku u kujtonte qytetarëve dhe të gjithë atyre që mbështesin aksionin e opozitës parashikimet e Kodit Penal për pengimin e zhvillimit të zgjedhjeve më 30 qershor.

“Me këtë kujtesë për të gjithë ata njerëz të zakonshëm, të cilët janë shënjestër e propagandës së katërshes S.B/I.M/L.B/M.K, që synon pengimin e zgjedhjeve, e të negociatave për anëtarësim në BE dhe që kurrësesi s’duhet të bien pre e asaj propagande duke u bërë mish për topat e atyre 4 hallexhinjve të mëdhenj të Reformës në Drejtësi, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Kryeministri.

Ky postim i Edi Ramës u pasua nga lajmi i shfaqjes së Lulzim Bashës në zyrat e Prokurorisë së Tiranës, aty ku është marrë si i pandehur për akuzën e pastrimit të parave në dosjen e famshme të lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Basha e cilësoi dosjen të fabrikuar në zyrën e rivalit të tij politik për të hequr vëmendjen nga skandalet e Qeverisë.

“Dosjen s’e kishin gati sepse nuk kanë dosje. Është një çështje e montuar në zyrën e Edi Ramës. Nuk ka asgjë ndryshe nga 25 marsi. Herën e parë më thirrën kur plasi skandali i Saimir Tahirit, herën e dytë kur plasi skandali i Geron Xhafajt, më thirrën pastaj edhe kur plasi skandali i Rrahman Rrajas dhe Taulant Ballës, më pas kur plasi skandali i Vangjush Dakos. Tani më thërrasin sërish”, u shpreh Basha.

Pak më vonë, Kryeministri ndalon në njësinë administrative numër 1 të Tiranës për një takim me qytetarët, të transmetuar edhe përmes platformës së tij në Facebook, ERTV. Këtu njofton një tjetër nismë ligjore, që tha se socialistët do ta kalojnë me shpejtësi në Kuvend.

“Nuk do të lejohet të dali nga vendi 5 deri në 10 vite kush kryen krim elektoral. Kjo masë do të kalojë nesër në Parlament”, njoftoi Rama, duke këmbëngulur se e gjithë lëvizja e opozitës është nga frika e reformës në drejtësi dhe e hapjes së negociatave.

Nuk vonoi shumë dhe në Komisionin e Ligjeve u pranua dhe u kalua amendamenti i deputetit Ervin Bushati për ndryshimet në Kodin Penal në pjesën që flitet për krimet zgjedhore. Bushati “zyrtarizoi” deklaratën e Ramës për nismën e pazakontë ligjore.

Megjithatë, miratimi me shpejtësi i ligjit nga ana e socialistëve nuk garanton hyrjen e tij në fuqi para 30 qershorit, pasi më parë duhet të marrë miratimin nga ana e Presidentit Ilir Meta. Në kushtet aktuale, një firmë e Metës mbi këtë projekt të socialistëve është një mision i pamundur.

Pavarësisht kësaj, Rama u shpreh i vendosur në nismën e tij dhe në fjalën e mbajtur dënoi sulmet ndaj Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ) në Shkodër dhe Tropojë.

“Ajo e Shkodrës dje ishte e turpshme. Është një përpjekje e dëshpëruar, sepse nuk kanë popullin me vete. Është e qëllimshme e gjitha, për televizion, për ta çuar jashtë dhe për të krijuar idenë se ky vend nuk meriton të respektohet dhe të hapen negociatat”, tha Rama.

Si në Shkodër, ashtu edhe në Tropojë, bastione të Partisë Demokratike, e që drejtohen aktualisht nga kryebashkiakë demokratë, iu vu flaka ambienteve dhe u shkatërruan materialet zgjedhore. Policia arrestoi pesë persona në Shkodër, mes të cilëve thotë se dy janë punonjës të Bashkisë së këtij qytetit. Shtatë të tjerë raportohen të arrestuar në Tropojë.

Shkodra, Tropoja në veri dhe Selenica në jug duket se kanë qenë vetëm shkëndijat e para të një lëvizjeje shumë herë më të zgjeruar gjeografikisht nga ana e opozitës. Mbështetës të PD-së dhe LSI-së sulmuan KZAZ-të edhe në bashkitë e tjera të kontrolluara prej tyre. Situata më e tensionuar u raportua në Burrel dhe Klos. Për minuta me radhë protestuesit u përplasën me policinë deri në momentin kur ja dolën mbanë që të hidhnin materialet zgjedhore në rrugë dhe t’u vinin flakën.

Bilanci paraprak i përplasjeve flet për disa persona të lënduar dhe shkatërrimin thuajse total të materialeve zgjedhore të vendosura tek KZAZ numër 16. Në të dyja këto zona ka patur përplasje të ashpra mes protestuesve dhe policisë.

Burime nga Policia e Shtetit thonë se janë disa efektivë të plagosur, ndërkohë që nga Partia Demokratike thonë se vëllai i kreut të kësaj partie dega e Burrelit është goditur me shkop pas koke dhe është shoqëruar për në Spitalin e Traumës në Tiranë për shkak të goditjeve të marra, sipas opozitës, nga policia e shtetit.

Pasi dogjën materialet zgjedhorë në Burrel, protestues dhe ish-deputetë të Partisë Demokratike iu drejtuan qytetit të Klosit në drejtim të KZAZ-së 17. Edhe këtu pati përplasje të forta me policinw, por në fund protestuesit ja dolën mbanë që të shkatërrojnë materialet zgjedhore.

Përplasjet fizike nuk kanë munguar as në Kamëz. Dhjetra protestues janë përleshur me efektivë të policisë. Të paktën pesë persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e përplasjeve, mes të cilëve dy efektivë të policisë së shtetit dhe të paktën një efektiv i policisë bashkiake.

Në Kukës, mbështetësit e opozitës dhe zyrtarë të Bashkisë u mblodhën në orët e paradites përballë godinës ku është vendosur KZAZ në këtë qytet. Forca të shumta policore mbronin këtë godinë. Përplasjet nuk munguan as këtu, ndërkohë që pas shumë orësh tensione dhe përplasjesh gjithçka u zgjidh përmes një “marrëveshjeje”, ku KZAZ pranoi që të lirojë ambientet sipas urdhrit të dhënë nga Bashkia e Kukësit. Nga Ministria e Brendshme thanë se tërheqja ishte “strategji për të shmangur viktimat”.

Një grup protestuesish të opozitës u mblodhën edhe para ambienteve të KZAZ-së në Kavajë. Tensionet nuk munguan, por përplasje të dhunshme nuk pati. Megjithatë, drejtuesit vendorë të opozitës dhe zyrtarë të Bashkisë së Kavajës, që njeh dekretin e Presidentit Meta që anulon 30 qershorin si datë zgjedhjesh, thanë se nuk do të tërhiqen dhe do të grumbullohen sërish në qendër të qytetit në orët e mbrëmjes.

Në qytetin e Bilishtit, kryeqendra e zonës së Devollit dhe bashki që kontrollohet nga Partia Demokratike protestuesit bllokuan për një kohë të gjatë rrugën për në ambientet e KZAZ-së me anë të një automjeti. Ata hodhën sende të forta në drejtim të godinës, duke thyer xhamat e dritareve dhe më pas u larguan.

Në Gjirokastër KZAZ kishte kërkuar më herët mbrojtjen nga ana e Policisë së Shtetit. Ndërkohë, Bashkia dorëzoi përmes nënkryetarit të saj pranë KZAZ-së kërkesën për të liruar objektin. Zyrtari i bashkisë shoqërohej nga ish-deputetët Vangjel Tavo e Tritan Shehu dhe ish-kreu i Komunës së Lazaratit, Dasho Aliko. Megjithatë, përplasje nuk pati.

Qindra protestues u përplasën me policinë në qytetin e Pogradecit në përpjekje për të hyrë në ambientet e KZAZ-së. Nga përplasjet nuk raportohen persona të lënduar, por protestuesit pasi janë shpërndarë kanë deklaruar se do të rikthehen sërish. Në Skrapar protestuesit morën nën kontroll Pallatin e Kulturës. Ata kanë liruar ambientet pas disa minutash përplasjeje me forcat e rendit dhe me ato të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Edhe bashkitë e tjera të opozitë janë vënë në lëvizje në zbatim të dekretit të Presidentit që anulon 30 qershorin. Në Mallakastër e Lezhë zyrtarët e bashkisë kanë dërguar kërkesa për lirimin e ambienteve ku janë vendosur KZAZ-të.

E përbashkëta e parë e të gjitha përplasjeve të dhunshme është se ato kanë ndodhur në bashkitë që sot kontrollohen nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim dhe e përbashkëta tjetër është se përplasja nuk ka qenë thjesht mes një grupi protestuesish opozitarë me forcat e rendit.

Si në rastin e Tropojës, Selenicës e Shkodrës të martën, ashtu edhe në rastet e së mërkurës janë vënë përballë mes njëri-tjetrit edhe institucionet vendore me institucionet qendrore. Nga njëra anë qëndron administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që mbrohet nga policia e shtetit, përballë të cilëve qëndrojnë protestuesit e opozitës me në krah policitë bashkiake.

Përplasja buron nga dekreti i Presidentit Meta. Të parët nuk e njohin dekretin, të dytët e njohin atë dhe kërkojnë që zgjedhje më 30 qershor të mos ketë. Në gjithë këtë situatë, sinjalet e përcjella nga drejtuesit kryesorë politikë nuk ndihmojnë.

Pasi Rama kërcënoi me ndryshime të Kodit Penal që do t’u ndalojë nga pesë deri në dhjetë vite daljen jashtë Shqipërisë shtetasve që kryejnë krim elektoral, Partia Demokratike ka reaguar me anë të Edmond Spahos.

“Edi Rama sot i kërcënoi shqiptarët se do t’u heqë lirinë për të lëvizur nëpër botë, të cilën e fituan pas shumë vuajtjesh e sakrificash. Polici, gazlotsjellës, dhunë, kërcënime frikësim, përçarje dhe nxitje të vëllavrasjes. Këto janë mjetet me të cilat Edi Rama po përpiqet të ruajë pushtetin dhe paratë që ka vjedhur. Nuk do ta shpëtojë dot asgjë. Opozita është e palëkundër kundër pushtetit të tij kriminal dhe shqiptarët janë të vendosur për të mbrojtur demokracinë dhe për të ndëshkuar politikanët e lidhur me krimin”, deklaroi Spaho.

Si nga mazhoranca, ashtu edhe nga opozita nuk ka shenja tërheqjeje. Të parët akuzojnë të dytët se duan të shkaktojnë trazira për të dëmtuar reformën në drejtësi dhe sidomos hapjen e negociatave, ndërsa të dytët akuzojnë të parët se po nxisin tensione për t’u shpëtuar akuzave për lidhje me krimin, korrupsion dhe manipulimin e zgjedhjeve.

Me vetë, mazhoranca ka mbështetësit e saj, ndërsa opozita pjesën e vet të mbështetësve. Mes këtyre ndodhen një pjesë edhe më e madhe e qytetarëve shqiptarë, ata që kanë një kujtesë jo fort të largët e që tremben një kaosi civil të ngjashëm me atë të 1997, si pasojë e paaftësisë së klasës politike për të gjetur një rrugëdalje nga kriza e stërzgjatur e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë